BE po shqyrton mundësinë që linjat ajrore të kontrollojnë çertifikatat e reja të imunitetit, para se të lejojnë pasagjerët në bord, bën të ditur Reuters.
Blloku po shqyrton propozime për rinisjen e udhëtimeve gjatë sezonit të verës.
Certifikata do të përmbajë informacion mbi vaksinimin, testet ose rikuperimin nga Covid-19.
Ajo do të ishte e vlefshme derisa OBSH të deklarojë përfundimin e pandemisë, u tha ligjvënësve Komisioneri i Drejtësisë i BE, Didier Reynders.
“Ajo që duam është t’u japim qytetarëve dhe shteteve anëtare një mjet që siguron besimin dhe garancitë e nevojshme. Një mjet ku autoritetet kompetente mund të mbështeten kur të munden për të lehtësuar lëvizjen e lirë, ” u shpreh ai.
Didier shtoi se “Në mënyrë të ngjashme, një kompani ajrore mund të … verifikojë vlefshmërinë e certifikatës në një mënyrë të thjeshtë gjatë regjistrimit,” dhe se “Diskutimet e gjata në portë duhet të shmangen“.
Vendet jugore të BE, që mbështeten në turizëm, po bëjnë presion për një instrument që do t’i ndihmojë gjatë sezonit të lakmuar të verës.
Ata përballen me Belgjikën, Francën dhe Gjermaninë, të cilat në mes të valës së tretë të infeksioneve që po përjetojnë, duken më skeptike.
Reynders theksoi se certifikata nuk përbënte një “pasaportë vaksinimi” pasi vaksinimi do t’u jepte disa njerëzve të drejtën të udhëtonin lirisht, duke diskriminuar pjesën tjetër.
Sipas propozimit, BE do të duhet të njoh edhe vaksinimet e kryera me vaksina që nuk janë miratuar në eurozonë, si Sputnik V i Rusisë, tha ai.
Ligjvënësit e BE ngritën problemet e privatësisë që mund të preken nga kontrolli i certifikatave të tilla, ndërkohë që vendet zbatojnë rregulla e masa antiCovid të ndryshme.