Komisioni Europian do të propozojë në mars një certifikatë dixhitale në të gjithë BE-në që siguron provën e një vaksinimi kundër COVID-19, që mund të lejojë europianët të udhëtojnë më lirshëm gjatë verës.
Ekzekutivi i BE synon të paraqesë planet e tij në 17 Mars dhe të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare për të siguruar që sistemi i tij të funksionojë edhe përtej Bashkimit Europian.
“Qëllimi është t’i lejojmë ata gradualisht të lëvizin të sigurt në Bashkimin Evropian ose jashtë vendit – për punë ose turizëm,” tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në Twitter të hënën.
Komisioni dëshiron të krijojë një sistem në të gjithë BE-në për të parandaluar marrëveshjet e ndara që bëhen midis vendeve të BE-së që do të copëzojnë tregun e tij të brendshëm.
Komisioneri i Shëndetësisë Stella Kyriakides tha se shpërndarjet e vaksinave do të rriten ndjeshëm në muajt e ardhshëm.
Krerët e BE ranë dakord javën e kaluar për të punuar në certifikatat e vaksinave, me vendet anëtare të jugut si Spanja dhe Greqia të cilat kanë insistuar më shumë për të zhbllokuar turizmin këtë verë.
Megjithatë nuk është ende e qartë nëse njerëzit e vaksinuar mund të transmetojnë virusin tek të tjerët.
Disa vende, të tilla si Franca dhe Belgjika, gjithashtu kanë shprehur shqetësimin se lehtësimi i udhëtimit vetëm për njerëzit e vaksinuar do të ishte i padrejtë. Komisioni tha se donte të shmangte çdo diskriminim.