Komisioni Europian ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me sundimin e ligjit në Poloni dhe Hungari në një raport të publikuar të martën, ç’ka mund të shkaktojë vendosjen e pengesave për këto shtete në përfitimin e fondeve nga BE për rimëkëmbjen nga kriza e COVID-19.
Në raport thuhet se Polonia dhe Hungaria po minojnë pluralizmin e medias dhe pavarësinë e gjykatave dhe nënvizohet se janë të vetmet vende të bllokut prej 27 anëtarësh nën hetim zyrtar nga BE për shkeljen e sundimit të ligjit.
BE i ka dhënë kohë Polonisë deri më 16 gusht për të zbatuar një vendim nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, e cila ka vendosur se ligji polak për të dënuar gjyqtarët është në kundërshtim me ligjet e BE-së dhe kështu duhet të pezullohet. Varshava e ka injoruar vendimin e GJED dhe ende nuk ka pezulluar ligjin.
Shqetësimet e ngritura në raport mund të kenë pasoja të rënda për dy vendet. Brukseli ka vendosur kusht respektimin e ligjit të BE nëse vendet duan të përfitojnë nga fondi i rimëkëmbjes me vlerë 800 miliardë euro.
Komisioni Europian ka vonuar miratimin e 7.2 miliardë euro për Hungarinë si përpjekje për të vënë nën presion qeverinë e Kryeministrit Viktor Orban për të zbatuar sundimin e ligjit dhe nuk miratuar ende dhënien e 23 miliardë eurove në grante dhe 34 miliardë euro në kredi të buta për Poloninë.
Raporti thotë se Hungaria nuk e ka ndjekur kërkesën e KE për të focuar dhe garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe se strategjia e saj anti-korrupsion është shumë e kufizuar.
Komisioni përmend mangësi të vazhdueshme në burimet e financimit të partisë në pushtet në Hungari dhe rreziqet e klientelizmit dhe nepotizmit në administratën publike të nivelit të lartë.
Raporti thotë se sasi të konsiderueshme të reklamave shtetërore shkojnë në media që mbështesin qeverinë, ndërsa media dhe gazetarë të pavarur përballen me pengesa dhe kërcënime.
Raporti gjithashtu shprehu shqetësim rreth ndikimit të partisë në pushtet të Polonisë mbi sistemin e drejtësisë.
Aty renditen disa emërime dhe ndryshime që ka bërë qeveria polake në gjykatën kushtetuese dhe institucione të tjera duke i quajtur të gjitha të paligjme dhe në interes të partisë në pushtet.
Komisioni vuri në dukje se prokurori i përgjithshëm, përgjegjës për gjurmimin e korrupsionit shtetëror, është në të njëjtën kohë ministri i drejtësisë i Polonisë dhe një politikan aktiv i partisë në pushtet.
Që nga viti i kaluar, mjedisi profesional për gazetarët në Poloni është përkeqësuar për shkak të “procedurave frikësuese gjyqësore, dështimit në rritje për të mbrojtur gazetarët dhe veprimeve të dhunshme gjatë protestave nga forcat e policisë”, thuhet në raport.