Bashkimi Evropian do të duhet të bashkëpunojë me talebanët, por nuk do të nxitojë në njohjen zyrtare të grupit militant islamik si drejtues të Afganistanit, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.
Gunnar Wiegand, drejtori i Komisionit Evropian për Azinë dhe Paqësorin, tha gjithashtu se BE po planifikon 300 milionë euro në buxhet për mbështetjen e 30 mijë refugjatëve afganë.
Wiegand tha se marrëdhëniet zyrtare me talebanët do të krijoheshin vetëm nëse grupi: krijon një qeveri gjithëpërfshirëse, krijon një rrugë kalimi të sigurtë për ata që duan të largohen, përmbahet nga hakmarrja kundër punonjësve afganë të forcave perëndimore dhe qeverisë së mëparshme; parandalon kthimin e Afganistanit në një parajsë për terroristët, respekton të drejtat e njeriut dhe aksesin e lirë për punonjësit e ndihmës.
Dy javë pas marrjes së kontrollit mbi kryeqytetin, Kabul, talebanët ende nuk kanë emëruar një administratë apo të zbulojnë sesi ata synojnë të qeverisin.