Shqipëria pranë negociatave, Ministrat e Jashtëm të BE-së arrijnë marrëveshje

Nga Exit News
Shqipëria pranë negociatave, Ministrat e Jashtëm të BE-së arrijnë marrëveshje

Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së ranë dakord të martën për të nisur procesin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e njoftoi me një postim në Twitter komisioneri përgjegjës për zgjerimin, Oliver Varhelyi:

“Tejet i kënaqur që shtetet anëtare të BE-së arritën sot marrëveshje politike për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. I përgëzoj me gjithë zemër të dyja vendet. Kjo dërgon një mesazh të qartë Ballkanit Perëndimor: E ardhmja është në BE”.

Exit-News raportoi sot rreth mundësisë së një vendimi pozitiv. Franca dhe Holanda, dy shtetet që patën kundërshtuar më fort hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, e zbutën qëndrimin e tyre duke rënë dakord.

Vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së, u përshëndet nga Presidenti Meta, Kreyministri Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Basha.

“Asnjë minutë nuk duhet humbur për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve!” – u shpreh Meta.

“Më në fund se u bënë bajat duke sajuar lloj vicklash. Kjo botë nuk është rrotulluar kurrë kollaj për shqiptarët, por Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë luftë. Do të bëjmë reforma modernizuese!” – premtoi Rama.

“Tani gjithçka është në dorën tonë për të përmbushur të gjithë kushtet e vendosura për nisjen e tyre” – deklaroi Basha.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Soreca u shpreh se metodologjia e re e zgjerimit dhe progresi i kryer muajt e fundit për reformën zgjedhore kanë qenë thelbësorë në vendimin e sotëm.

Ai shpjegoi se nga sot Shqipëria ka një status të ri përballë Evropës.

“Tani e tutje do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar për t’iu bashkuar BE-së sa më shpejt.”

Vendimi i shteteve anëtare i jep Komisionit Evropian mandatin për të nisur përgatitjet për procesin e negociatave me 2 vendet kandidate.

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i kërkohet përgatitja e një plani të strukturuar për masat e veçanta që duhen marrë në disa fusha të rëndësishme. Më pas mbahen mbledhjet ndërqeveritare.

Soreca theksoi se tashmë është koha që politika në Shqipëri të bashkohet për t’i përmbushur këto masa, të cilat nuk varen vetëm nga qeveria, por nga e gjithë shoqëria.

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim gjithashtu përshëndeti vendimin dhe garantoi mbështetje të SHBA-ve për hapat dhe reformat e ardhshme deri në anëtarësim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>