8 shqiptarë dhe 2 të huaj, pjesë e një bande që trafikonte kokainë nga Amerika Latine, janë arrestuar në Belgjikë, në një operacion ndërkombëtar ku mori pjesë policia belge, gjermane dhe shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, operacioni u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë.
Të gjithë personat u arrestuan në Belgjikë.
Të arrestuarit janë:
- Gj., 34 vjeç dhe G. B. (i njohur dhe me inicialet F. B.) 37 vjeç, banues në Tiranë;
- R. Rr., 27 vjeç dhe F. Rr., 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë;
- B. P., 29 vjeç, banues në Pukë; F. Xh., 33 vjeç, banues në Laç;
- K. N. (shtetas lituanez) dhe S. C. (shtetas grek);
- F.GJ. i cili po gjykohet në gjendje të lirë.
Mediat shqiptare kanë shkruar se dy prej të arrestuarve janë Ramazan e Fjoralb Rraja, nipat e deputetit socialist në Krujë, Rrahman Rraja.
Si funksiononte grupi kriminal?
Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar kokainë në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.
Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.