
Sali Berisha paralajmëroi se Kryeministri Rama po përgatitet të lirojë nga burgu Jaho Mulosmanin, të dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit në 14 shtator 1998, përpara selisë së PD-së.
Në një bisedë për Bledin Fevziun, ai ka deklaruar se vrasja e Azem Hajdarit është një vrasje shtetërore, e organizuar nga SHIK. Ai akuzoi direkt kryetarin e atëherëshmë Fatos Klosi si porositësin e vrasjes së tij:
“Në pritë, po të më pyesësh mua, e nxori Fatos Klosi. Kurth. Kurthin e organizoi, e serviri Shërbimi. Kishte një radio të shërbimit, jo të Policisë. Radio e Shërbimit Informativ. Nga makina që u qëllua”.
Berisha tha se vrasja u krye nga banda e Haklajve, me kërkesë dhe me mbështetje të qeverisë së atëhershme. Ai tha se ekzekutorët u vranë më pas po nga shteti.
“Vrasësit Haklaj morën komisariatin për t’u hakmarrë në emër të regjimit në Tropojën e Azem Hajdarit. E vrau shteti Azem Hajdarin”.
Ai tha se nuk do të dëshmojë më për çështjen e Azem Hajdari, pasi e ka dhënë dëklaratën e tij shteruese. Ish-kryeministri pohoi se asnjëherë nuk është thirrur nga gjykata ose prokuroria për çështjen e Azem Hajdarit, sepse nuk ka qënë dëshmitar okular.