BERZH projekt monitorimi për hidrocentralet në Shqipëri e Maqedoni të Veriut

Nga Erblin Vukaj
BERZH projekt monitorimi për hidrocentralet në Shqipëri e Maqedoni të Veriut

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të mbështesë me një fond prej 120 mijë eurosh monitorimin nga organizatat e shoqërisë civile të hidrocentraleve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut me synim ruajtjen e vlerave natyrore të lumenjve.

Thirrja e publikuar së fundmi në portalin e BERZH mund të gjendet duke u klikuar këtu.

BERZH thotë se Ballkani Perëndimor ka të pacenuar rreth 30 për qind të lumenjve. Investimi në hidrocentrale është parë si mënyrë efektive për të zhvilluar prodhimin e energjisë së rinovueshme, por ndërtimi dhe operimi i tyre paraqet shqetësime për mjedisin.

“Shumica e hidrocentraleve janë të madhësive të vogla ose të mesme, por numri dhe ngritja e tyre në zona me vlerë të lartë ekologjike sprovn mjedisin. […] Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të balancojnë zhvillimin e hidrocentraleve me ndikimin që ato kanë në mjedis.”

Në Shqipëri numri i përgjithshëm i hidrocentraleve të miratuara arriti në 714 në fund të vitit 2019. Vetëm gjatë tri viteve të fundit u miratuan 223 hidrocentrale. Afërsisht 6 në muaj ndërsa në 5 vite, qeveria Rama u dha leja e ndërtimi rreth 100 prej tyre.

Të paktën 60 projekte hidrocentralesh janë zhvilluar në 12 zona të mbrojtura mjedisore. Për këtë prirje të ndërtimeve ka pasur vazhdimisht protesta sidomos për projektet në Valbonë apo Vjosë, të cilat kanë pasuri të rrallë të biodiversitetit.

Komisioni Evropian ka kritikuar shpesh qeverinë për qasjen shqetësuese ndaj mjedisit, ndërkohë vetëm në korrik të vitit të shkuar, Kryeministri Rama pranoi se ndërtimi i hidrocentraleve të vogla ka qenë i padobishëm dhe i dëmshëm për natyrën.

Këto shifra ishin  dy herë më e lartë, sesa të dhënat e ofruara nga autoritetet, i përgjigjet 259 kontratave përfundimtare dhe 132 marrëveshjeve paraprake, të nënshkruara gjatë dy dekadave të fundit. Aktualisht, qeveria kujdeset të raportojë një shifër më të ulët të numrit të impianteve që prodhojnë energji elektrike nga burime hidrike.

Duke parë këtë situatë BERZH ka hapur thirrje për të krijuar një metodologji, kjo me synimin për të hartuar më pas një protokoll të zbatueshëm monitorimi të punës së hidrocentraleve.

“Për të adresuar këto sfida, zhvilluesit e hidrocentraleve, autoritetet publike, rregullatorët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët ndjekin nga afër zhvillimet e hidrocentraleve dhe ndikimet e tyre mjedisore në rajon, do të përfitonin nga zhvillimi i një metodologjie të përbashkët të monitorimit të hidrocentraleve dhe marrëveshjeve për një protokoll monitorimi.”

“Detyrën, si pjesë e projektit, pritet ta fillojë në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe ka një kohëzgjatje të përgjithshme prej 18 muajsh” thuhet në thirrje ndërsa saktësohet se projekti do të mbështetet me 120 mijë euro.

BERZH ndryshoi vitin e shkuar politikën e saj mjedisore dhe sociale. Prej 1 janarit ajo ka kushtëzuar financimet e saj për ndërtimin e HEC-eve duke u zotuar të mos financojë më projekte në zonat me biodiversitet të lartë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>