Një grup besimtarësh myslimanë i kanë kërkuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të hapë xhamitë.
Peticioni i tyre online ka mbledhur rreth 3500 firma. Kjo është hera e dytë që besimtarët bëjnë një kërkesë të tillë. Pak përpara nisjes së Muajit të Ramazanit, KMSH njoftoi më 22 prill se xhamitë nuk do të hapeshin për besimtarët.
Hartuesit e peticionit vënë në dukje se është e pashpjegueshme se pse KMSH nuk i hap xhamitë, duke respektuar të gjitha rregullat e nevojshme të distancimit social dhe higjienës, ndërkohë që qeveria ka planifikuar hapjen e shumë aktiviteteve të tjera.
Besimtarët i kanë kërkuar shpjegim KMSH-së se në cilin studim të cilëve ekspertë është bazuar për të mbyllur xhamitë përpara Ramazanit. Ata kanë ngritur pikëpyetje se pse rregullat e OBSH-së dhe praktikat e vendeve demokratike gjatë krizës së koronavirusit nuk janë të vlefshme edhe për jetën fetare të xhamive në Shqipëri.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka këshilluar qytetarët të shmangin grumbullimet fetare.