Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se angazhimi i SHBA-së për aleancën e NATO-s është i “palëkundur”. Ai premtoi se do ta respektojë parimin e vendeve anëtare të NATO-s, sipas së cilit, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
Deklarata e tij shënon ndarje nga linjat e politikës së jashtme të paraardhësin e tij, Donald Trump, i cili e quajti aleancën 30-anëtarëshe të vjetëruar. Në një moment ai madje u shpreh se Uashingtoni mund të tërhiqej nga ajo.
“Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe unë mirëpres investimin tuaj në aftësitë ushtarake që mundësojnë mbrojtjen tonë të përbashkët“, tha Biden në një fjalim online në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Ky është “kthimi i Amerikës”, tha Biden.
Presidenti amerikan njoftoi se ushtria amerikane po kryente një rishikim të angazhimit të saj në të gjithë botën dhe se ai kishte kthyer urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.
Ai gjithashtu ka hequr një kufizim të vendosur nga administrata e mëparshme për numrin e forcave amerikane që mund të ishin të vendosura në Gjermani.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer mirëpriti vendimin e presidentit Biden.
“Ne e kuptojmë qartë këtë angazhim të Amerikës për sigurinë evropiane, një NATO të fortë dhe një Perëndim të bashkuar“, i tha ajo agjencisë Reuters.
Udhëheqësit e lartë të sigurisë në botë mblidhen një herë në vit në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.
Presidenti Biden tha se është jetike të frenohen kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Rusia, të cilat i akuzoi se po përpiqen të minojnë demokracitë dhe dobësojnë NATO-n.
Biden përmendi Ukrainën si një shembull, duke thënë se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga agresioni rus ishte “shqetësim jetësor” për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Biden paralajmëroi aleatët se bota është në një “pikë kyçe” në betejën ideologjike midis vlerave demokratike dhe atyre autokratike.
“Unë besoj me gjithë qenien time se demokracia duhet të mbizotërojë”, ka thënë Biden.
Ai akuzoi Kinën për “abuzime ekonomike” dhe tha se kompanitë e saj duhet të luajnë me të njëjtat rregulla si vendet amerikane dhe evropiane.
Gjatë fjalimit të tij presidenti i SHBA-ve tha se administrata e tij do të punojë me Evropën dhe “partnerë të tjerë” për të adresuar “aktivitetet destabilizuese të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme“.
Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me aleatët e NATO-s dhe shihet si partner shumë më miqësor i Evropës.
Megjithatë, edhe Biden ka theksuar nevojën që Evropa të përmbushë zotimet e saj për shpenzime në fushën e mbrojtjes së përbashkët.