Numri i të infektuarve me Covid-19 në Ballkanin Perëndimor njohu rritje me rreth 4 mijë persona javën e fundit, ndërsa pati rreth 100 viktima të tjera.
Krahasuar me një javë më parë tashmë rajoni ka mbi 12 500 persona të infektuar, 2 706 të shëruar dhe 318 viktima.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë vendet më të prekura ndërsa Kroacia po paraqet shenja se epidemia po përmbahet.
Në një javë Serbia raportoi 2 576 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 6 630 të infektuar, prej të cilëve 125 kanë vdekur – 40 më shumë se javën e shkuar.
Maqedonia e Veriut u bë vendi i dytë me më shumë viktima në rajon – 54 të vdekur. Me statistika Maqedonia e Veriut ka vdekshmërinë më të lartë 26 vdekje për 1 milionë banorë.
Gjatë kësaj jave autoritetet maqedone raportuan 16 vdekje të tjera ndër pacientët me Covid-19 ndërsa pati 371 raste të reja – totali 1225.
Bosnje e Hercegovina raportoi gjatë kësaj jave 279 të infektuar të tjerë me Covid-19 (1 309 totali) 10 viktima (49 totali) dhe 175 të shëruar (totali 381).
Kroacia raportoi 231 raste të reja me Covid-19 (1 881 totali) 22 viktima (47 totali) dhe 371 të shëruar (771 totali).
Në Kosovë pati 4 vdekje ndërsa u raportuan 199 të infektuar të tjerë – totali 561.
Shqipëria raportoi 117 të infektuar të tjerë (totali 584), 3 viktima (totali 26) dhe 95 të shëruar (327 totali).
Vlen të thuhet se gjithashtu vdiqën edhe 4 persona të infektuar me Covid-19, por autoritetet nuk i përfshinë në statistikat e përgjithshme pasi nuk kishin manifestuar simptoma.
Në Mal të Zi gjatë kësaj jave pati 38 raste të reja me Covid-19 (311 totali), 2 viktima (5 totali) dhe 50 të shëruar (55 totali).
Testet dhe të shëruarit
Serbia mbetet vendi që po kryhen më shumë teste në rajon. Javën e fundit ajo pothuajse dyfishoi numrin e personave të testuar nga 20 mijë në mbi 40 mijë, kjo reflekton edhe në bilancin e përgjithshëm të të infektuarve.
Pas Serbisë është Kroacia që po kryen më shumë teste në rajon, rreth 9 mijë brenda javës së fundit.
Për sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës ato kanë kryer këtë javë nga 1 700 dhe 1 400 teste, relativisht pak krahasuar me Maqedoninë e Veriut mbi 3 500 dhe Bosnjen mbi 6 200 teste.
Sidoqoftë për sa i përket shifrave Shqipëria mbetet vendi që ka shërueshmërinë më të lartë në rajon rreth 56 për qind të të infektuarve, ndërsa Kosova vdekshmërinë më të ulët, më pak se 5 viktima për 1 milionë banorë.