Deputeti Ben Blushi ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë. Dy ishin çështjet që ai ngriti në Parlament, administrimi i rafinerisë ARMO dhe dëmtimi i banesave në Zharrëz nga shpërthimet e Bankers.
Sipas Blushit, qeveria po tregohet indiferente ndaj problemit të banorëve, të cilët janë në grevë urie. Ata protestojnë ndaj kompanisë së naftës “Bankers”, shpërthimet e së cilës kanë dëmtuar banesat. I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, i cili u shpreh se dëmshpërblimet do të bëhen nga vetë kompania, duke nënkuptuar që shteti është i pamundur për t’i ndihmuar në këtë aspekt.
Banorët u rifutën në grevë pasi qeveria i gënjeu. Premtimi për dëmshpërblimin dhe për ndërprerjen e punës së kompanisë, nuk u mbajtën. Dhe pse u ngrit një komision pune nën drejtimin e Peleshit, ende nuk ka një reagim për këta banorë.
Një tjetër akuzë e Blushit ishte dhe ajo për rafinerinë e naftës ARMO. Punëtorët prej muajsh nuk marrin pagën ndërkohë që akuzoi kryeministrin Rama se ia ka dhënë rafinerinë një miku të tij.
“ARMO drejtohet nga një kompani fantazëm. 200 milionë euro humb shteti në vit, para të cilat ikin nga shkollat, pagat, nga sigurimet shoqërore. ARMO ka kushtuar 70 milionë euro, aq sa i ka dhënë qeveria për projekte Dakos”, u shpreh Blushi. Për zgjidhjen e këtyre problemeve Blushi propozoi rishtetëzimin e kompanisë.