Presidenti në radhë i presidencës tripalëshe të Bsonjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, ka ftuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që do të mbahet në javën e parë të korrikut në Sarajevë. Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia, janë të vetmet në Ballkanin Perëndimor që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sidoqoftë ftesa në fjalë nuk do të thotë njohje dhe kjo është nxituar të saktësohet mëngjesin e së hënës nga një deklaratë e presidencës boshnjake.
Portali boshnjak Klix raportoi eksluzivisht mbrëmjen e së dielës se Dodik e ka ftuar Thaçin pa e përmendur Kosovën me nënshkrim (fusnotë). Nënshkrimi që shoqëron emrin e Kosovës me shpjegimin “sipas Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara” është vënë pas marrëveshjes për nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd, kjo deri në një njohje nga Serbia të pavarësisë.
Mungesa e këtij nënshkrimi në ftesë nxiti mediat të spekulonin se Kosova po ftohej si e pavarur në këtë samit të radhës.
Zyra e shtypit e Presidentit Dodik, i cili në presidencën tripalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, përfaqëson Republikën Srpska, nxitoi të saktësonte të hënën se “Thaçi nuk është ftuar si përfaqësues i Kosovës, por si përfaqësues i një vendi me status të papërcaktuar dhe me fusnotë”. Ndër të tjera në deklaratën për shtyp thuhet se “Republika Srpska njeh mandatin e arrestit për Thaçin të lëshuar nga Serbia, por do t’i garantojë atij imunitet për kohën që do të qëndrojë në Jahorina (Bosnje)”.
Sipas agjencisë së lajmeve Nova, Dodik ka theksuar se “nëse Thaçi do të jetë sërish në Bosnjë pa një imunitet të tillë të garantuar nga të drejtat ndërkombëtare, do të arrestohet dhe do t’i dërgohet Serbisë”.
Thaçi është një nga 40 ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët Serbia ka lëshuar mandate arresti për krime lufte.
Muajin e shkuar, Thaçi refuzoi pjesëmarrjen në konferencën vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që u zhvillua në Bosnje. Ai e arsyetoi këtë refuzim të tijin si qëndrim ndaj masave që shteti boshnjak ka aplikuar ndaj kosovarëve dhe për mos-njohjen e pavarësisë së shtetit të saj.