Agjensia e Shëndetit Publik në Angli ka klasifikuar si “shqetësues” variantin indian të Covid-19. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të të dhënave, nga të cilat rezulton se varianti ka trasmetueshmëri të lartë.
Megjithatë, sipas raportimit të Reuters, ende nuk ka prova që vërtetojnë se ky variant është më i rrezikshëm në efekte se variantet e tjera që qarkullojnë.
“Aktualisht ka prova të pamjaftueshme për të treguar se ndonjë prej varianteve të zbuluar kohët e fundit në Indi shkakton sëmundje më të rëndë ose i bën vaksinat e vendosura aktualisht më pak efektive,” deklaroi agjensia të premten.
Varianti i ri i virusit konsiderohet një nga shkaqet pse India aktualisht po përjeton një nga krizat më të rënda të koronavirusit.
Në fillim të majit, India u bë vendi i dytë në botë pas SHBA-ve që raportoi mbi 20 milionë raste të infektimit me Covid-19, ndërkohë që numri i viktimavë qysh nga fillimi i pandemisë llogaritet mbi 230 mijë.