Dikur kryeqendra e Luftës së Dytë Botërore, sot kryeqendra e paqes dhe stabilitetit në kontinent, me një realitet tjetër që ofron Bashkimi Evropian.
Brukseli kujtoi sot 75-vjetorin e çlirimit nga forcat naziste me një paradë prej 75 makinash të asaj periudhe, e cila parakaloi në kryeqytetin belg duke rikther vëmendjen te ndryshimet e mëdha që ndodhën gjatë kësaj periudhe prej treçerek shekulli.
Makinat e Luftës së Dytë Botërore, do të qëndrojnë të ekspozuara për publikun në një nga parqet kryesore të Brukselit.
Lufta e Dytë Botërore nisi zyrtarisht 80 vite më parë, më 1 shtator 1939 kur Gjermania naziste e Adolf Hitler pushtoi Poloninë.
Britania e Madhe dhe Franca i shpallën luftë menjëherë duke përshkallëzuar konfliktin gjerësisht në tërë kontinentin dhe më tej në Afrikë.
Belgjika u pushtua pak muaj më vonë, më 28 maj 1940, pushtim i cili ishte i dyti në më pak se 30 vite, duke marrë parasysh edhe Luftën e Parë Botërore (1914-1918).
Brukseli u çlirua më 4 shtator 1944, rreth një javë pasi në Belgjikë kishin hyrë forcat aleate amerikane, britanike dhe kanadeze.
Rreth 13 vite pas çlirimit, Belgjika do të ishte pjesë e traktatit të Romës, që hodhi bazat e asaj që shumë vite më vonë u kthye në Bashkimin Evropian, selitë qëndrore të së cilës gjenden në Bruksel.