Dëmtimet apo shembjet e shtëpive pas tërmetit të 26 nëntorit kanë nxitur Bankën e Shqipërisë (BSH) t’i kërkojë sektorit bankar analizimin sa më shpejtë të ndikimit që mund të ketë në shlyerjet e kredive.
Gazeta Monitor, e cila ka përcjellë edhe shifrat duke iu referuar BSH-së, thotë se shqiptarët kanë marrë rreth 930 milionë euro kredi për të blerë shtëpi. Nga kjo shumë kredish, mbi 700 milionë janë marrë në Durrës (72 milionë) dhe Tiranë (640 milionë).
Tërmeti i 26 nëntorit shembi 1,183 shtëpi dhe dëmtoi rëndë rreth 6,000 të tjera në Durrës, Tiranë, Lezhë, Dibër dhe Elbasan. Nga ky numër, mbi 550 janë pallate. Ende nuk ka vlerësim të saktë se sa prej banorëve të tyre kishin blerë pronat e dëmtuara me kredi.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, u ka kërkuar bankave analizimin sa më shpejt të ndikimit që mund të kenë pasojat e tërmetit te mundësitë për të shlyer kreditë. Ai ka bërë thirrje që bankat të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat të mos shkaktojnë ngadalësim të ritmit të kreditimit të ekonomisë.
Monitor thotë se bankat i janë përgjigjur BSH-së, duke propozuar hartimin e një plani masash për klientët kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë.
Blerja me kredi në banka përgjithësisht sigurohet me një policë sigurimi. Mirëpo qytetarët nuk e kanë të qartë këtë skemë dhe se si të veprojnë.
Gazeta Monitor citon burime nga siguruesit të thonë se deri një vit më parë sigurimi i kredisë së shtëpive bëhej në raport me pjesën e mbetur pa-shlyer, por që pas kërkesës së Bankës së Shqipërisë procedurat janë ndryshuar.
“Nëse shtëpia është blerë 50 mijë euro dhe ajo është siguruar […] për këtë vlerë, vit pas viti primi që paguhet nga qytetarët vjen në ulje vetëm për pjesën e kredisë së mbetur. Kjo do të thotë që nëse dikujt i ka mbetur vetëm 10 mijë euro kredi e pashlyer, por vlera totale e shtëpisë është 50 mijë euro, tendenca është që primin ta bëjë vetëm për pjesën e kredisë. Vlera prej 40 mijë euro e banesës lihet me vetëdije e pambuluar nga sigurimi e për rrjedhojë edhe pa dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit në rast të dëmeve potenciale”.
Ndërkohë shoqata e siguruesve ka thënë se qytetarët që kanë kontrata “përfitojnë dëmshpërblim në varësi të dëmit të ndodhur pasi kanë paraqitur kërkesën për dëmshpërblim” dhe se “detyrimi për dëmshpërblim kufizohet deri në masën e shumës së siguruar”.
Dëmet nga tërmeti për qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër deri më datë 4 dhjetor 2019:
Shtëpi:
- të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)
- të dëmtuara rëndë: 5514 (Durrës 3838, Tiranë 1311, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)
- të dëmtuara lehtë: 3569 (Tirana 3248, Dibër 73, Elbasan 248)
Pallate:
- të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)
- të dëmtuara lehtë: 337 (Tiranë 330, Elbasan 7)
- të pabanueshme: 20 (Tiranë)
Shkolla:
- të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9).