Ambasada Kineze në Tiranë konfirmoi të dielën se tre minatorë kinezë kanë mbetur të bllokuar dhe tre të tjetër janë plagosur në minierën e kromit në Bulqizë, pas një shpërthimi gazi. Shpërthimi ndodhi ditën e shtunë, ndërsa minatorët po kryenin gërmime në pusin e zotëruar nga kompania Albchrome.
Ministria e Energjitikës njoftoi se shpërthimi kishte ndodhur gjatë punimeve për hapjen e pusit të thellësisë. Sipas ministrisë, investimi kryhet nga kompania koncesionare Albchrome, e cila i përket grupit Balfin, përmes kompanisë kineze Wenzhou Mining Co Ltd, e nënkontraktuar nga koncesionari për këtë shërbim.
Grupet e shpëtimit arritën të nxirrnin nga miniera vetëm tre minatorë, të cilët ishin jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa, tre minatorët e tjerë, të cilët punonin në ballin e galerisë, kanë mbetur të bllokuar për shkak të sasisë së madhe të gazit metan.
Ky është aksidenti i dytë brenda pak javëve. Më 27 janar, në Tropojë u shemb miniera e kromit, ku një minator humbi jetën dhe një tjetër u plagos.