Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrest me burg për dy inspektorë të mbrotjes së territorit në Kamëz. Sipas një njoftimi zyrtar, SPAK shkruan se janë arrestuar Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, të cilët merrnin para për të lejuar ndërtime të paligjshme.
“Shtetasit Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, për shkak të funksionit të tyre, kanë lejuar ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Kamëz, kundrejt përfitimit të parregullt, si dhe në disa raste të tjera të evidentuara, nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për të konstatuar dhe proceduar për ndërtimet pa leje, megjithëse kanë patur dijeni për kryerjen e ndërtimeve pa leje për disa shtetas.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.06, datë 22.01.2021 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuara nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.”
Kjo kërkesë u pranua dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit.