Marrëveshja për faljen e 12 miljeve det Greqisë nga Shqipëria, duket se është arritur, megjithëse Ministri Bushati mohon të ketë marrëveshje.
Qëndrimi i Ministrit Bushati sot për çështjen e detit dhe arritjen e një marrëveshje me Greqinë është shumë i ndryshëm nga ai i pak viteve më parë.
Ministri i Jashtëm Bushati, në vitin 2014, i bënte thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të arrestonte nënshkruesit e marrëveshjes së detit me Greqinë, pra ish-zyrtarët e lartë të Qeverisë Berisha.
Në komisionin e Punëve të Jashtme në Kuvend, më 28 maj 2014 gjatë bisedimeve për toponimet greke, Ministri Bushati shprehej se:
“Për sa i përket nënshkruesve të kësaj marrëveshje, Prokurori i Përgjtihshmë Adriatik Llalla i ka të gjitha në dorë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të drejtën ndërkombëtare dhe ka parasysh nenin 210 të Kodit Penal ku parashikohet vepra që bën fjalë Gjykata Kushtetuese.
Përsa i përket personave në shërbim të jashtëm që kanë qënë në nënshkrim të marrëveshjes ka filluar një analizë e brendshme do të merren masa përkatëse.
Përsa i përket nënshkruese Prokurori i Përgjithshëm t’i japë një përgjigje Gjykatës Kushtetuese dhe opinionit publik nëse jemi në rastin e nenit 210 ose jo”.
Neni 210, i Kodit Penal, për “Marrëveshjen për dorëzim territori” parashikon se:
“Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.”