Buxheti 2018: shpërfillja e jashtëzakonshme e arsimit

Buxheti 2018: shpërfillja e jashtëzakonshme e arsimit

Arsimi vazhdon të mbetet një prioritet i ulët për qeverinë dhe i keqfinancuar në krahasim me vendet e tjera,  jo vetëm vendet e zhvilluara por edhe ato pak të zhvilluara.

Shpenzimet qeveritare, shpenzimet e buxhetit të shtetit, të parashikuara për vitin 2018 për arsimin janë rreth 38,4 miliardë lekë, afërsisht 286 milionë euro. Ky buxhet është parashikuar të jetë rreth 2,49 për qind të prodhimit të pritshëm të vendit, prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB).

Në këtë mënyrë Shqipëria është një nga vendet me shpenzimet më të vogla qeveritare në botë. Duke u mbështetur në të dhënat e vitit të shkuar të Bankës Botërore dhe duke vlerësuar në mënyrë të përafërt, Shqipëria renditet jo më lartë se vendi i 135 në botë për nga shpenzimet qeveritare krahasuese për arsimin. Për të krijuar një ide më të qartë, duhet thënë se organizata e Kombeve të Bashkuara ka 193 vende anëtare dhe pas Shqipërisë mbeten kryesisht vendet më të të pazhvilluara të botës.

Vëndet e BE-së shpenzojnë fonde publike sa afërsisht mesatarisht 4,9 për qind e PBB-së, pra pothuajse dy herë më shumë se Shqipëria.

Duhet theksuar se Shqipëria ka bërë mbrapa në krahasim me vitin 2013, kur shpenzimet e arsimit ishin në 3,54 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 116 në botë. Në krahasim me vitin 2015 kur përqindja e shpenzimeve të arsimit ndaj PPB ka rënë me afërsisht 30 për qind.

Shpenzimet qeveritare të planifikuara për arsimin në krahasim me GDP-në kanë ardhur duke u ulur gjatë gjithë qeverisjes socialiste. Në vitin 2018 ato do të jenë rreth 0,9 pikë përqindje ose një e katërta më pak se sa ato në vitin 2016. Kjo vazhdë rënie pritet që të vazhdojë deri në vitin 2020, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm.

Kjo situatë është dështim edhe përballë vetë programit të qeverisë. Në strategjinë e Arsimit Parauniversitar të miratuat në vitin 2016, ishte vendosur që në vitin 2018 shpenzimet buxhetore për arsimin të arrinin në 5 për qind të PBB-së.

Shpenzimet qeveritare të parashikuara për vitin 2018 për arsimin parauniversitar, për të gjitha nivelet nga kopështi deri në arsimin e mesëm, janë rreth 2,11 për qind e PPB-së, ndërkohë që objektivi i qeverisë ishte që ato të ishin rreth 2,73 për qind e PBB.

Shpenzimet e parashikuara në buxhet janë 68.5 mijë lekë për nxënës për arsimin fillor dhe 74,2 mijë lekë për nxënës për arsimin e mesëm. Ndërkohë që në strategjinë e arsimit ishte parashikuar që shpenzimet mesatare për nxënës të të gjitha niveleve duhet të kishin kaluar nivelin e 92 mijë lekëve. Ky nivel i financimit është shumë i ulur: ndërsa Shqipëria e ka mesatarisht rreth 700 dollarë shpenzimet për nxënës në vendet e OECD-së shpenzimi luhatet nga të paktën 2 500 dollarë në rreth 10 mijë dollarë për nxënës.

Mbi 85 për qind e shpenzimeve, rreth 180 milionë euro, do të shkojë për financimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit e sistemit, ndërsa investimet do të zënë vetëm 8 për qind të shpenzimeve.

Pesha e shpenzimeve që vendoset në zërin “rritja e cilësisë së mësimdhënies, trajnimi i mësuesve, pajisja e shkollave me laborator shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale, etj. është shumë e vogël.

Totali i shpenzimeve për trajnimin e mësuesve për arsimin parauniversitar do të jetë 50 milionë lekë ose rreth 376 mijë euro. Është një financim gati i papërfillshëm duke patur parasysh se trajnimi dhe ritrajnimi i mësuesve është një nga proceset më të rëndësishme të çdo sistemi arsimor.

Shpenzimet për laboratorë fizike, kimie, për instalimi e platformave të mësimit elektronik dhe pajisja me tabletat e informatikës janë parashikuar rreth 110 milionë lekë, rreth 827 mijë Euro. Ky është një investim minimal duke patur parasysh se për këtë zë nuk ka patur asnjë financim në vitin 2016 dhe 2017.

Të gjithë këta tregues tregojnë se arsimi jo vetëm është reduktuar në një prioritet të ulët, por është edhe në terma absolutë i keqfinancuar. Kjo politikë do të ketë ndikim të padiskutueshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në përgjithësi në cilësinë e arsimimit të fëmijëve.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>