Buxheti optimist i 2021-isht: ç’ka planifikuar qeveria Rama të bëjë me të

Nga Exit News
Buxheti optimist i 2021-isht: ç’ka planifikuar qeveria Rama të bëjë me të

Kuvendi miratoi të hënën, 16 nëntor, buxhetin për vitin 2021, pa asnjë debat e kundërshti nga deputetët.

Ky është ndoshta buxheti më fiktiv në historinë e Shqipërisë dhe në emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews u bë një analizë e këtij buxheti: çfarë përmban dhe ç’ka planifikuar qeveria Rama të bëjë me të.

Thënë me pak fjalë, buxheti 2021 parashikon: të ardhura të fryra, shpenzime të fryra, investime të fryra përtej çdo logjike realiste.

Siç shihet dhe në grafikun më poshtë, qeveria ka planifikuar:

  • të mbledhë të ardhura në vlerë 479 miliardë lekë ose 3,86 miliardë euro;
  • të bëjë shpenzime në vlerë 588 miliardë lekë ose 4,74 miliardë euro.

Defiçiti i pritshëm sipas këtyre parashikimeve është rreth 109 miliardë lekë ose 870 milionë euro. Kjo do të thotë se qeveria parashikon të kenë defiçitin buxhetor sa 23 për qind e të ardhurave të pritshme.

buxheti

Nëse ky parashikim realizohet, ai do të jetë deficiti i dytë buxhetor më i madh në historinë e Shqipërisë. Me shumë gjasa ai do të mbulohet duke marrë para borxh.

Çfarë shpenzimesh ka parashikuar qeveria me këtë buxhet?

Në grafikun e mëposhtëm tregohet se si qeveria parashikon të shpenzojë paratë gjatë vitit 2021 sipas sektorëve të ndryshëm.

shpenzimet sipas sektoreve

Në vend të parë, me përqindjen më të lartë, renditen shpenzimet për mbrojtjen sociale, me 35 për qind të totalit të shpenzimeve.

Në vend të dytë, vjen shëndetësia me 10 për qind të shpenzimeve, më pas çështjet ekonomike me 8 për qind të buxhetit dhe mbrojta e rendi me 7 për qind të buxhetit.

shpenzimet sipas institucioneve

Ndërsa sipas institucioneve, shpenzimet janë parashikuar kështu:

  • 17,1 për qind për fondet shoqërore,
  • 11,7 për qind për Ministrinë e Shëndetësisë,
  • 11,7 për qind për Ministrinë e Financave,
  • 8,4 për qind për Ministrinë i Infrastrukturës,
  • 7,2 për qind për Ministrinë e Arsimit,
  • 4,3 për qind për Ministrinë e Mbrojtjes,
  • 3,5 për qind për Ministrinë e Brendshme,
  • 2,2 për qind për Ministrinë e Bujqësisë.

Shpenzime të tjera parashikohet të zënë 24,3 për qind të totalit të shpenzimeve, ndërsa pushteti vendor do të marrë 9,6 për qind të shpenzimeve.

Sa mund të realizohen këto shpenzime?

Qeveritë planifikojnë përherë më shumë të ardhura se sa është realisht mundësia për të mbledhur.

Fakti është që gjatë dekadës së fundit, buxheti ndryshohet 1, 2 madje edhe 3 herë gjatë vitit, gjithmonë për të ulur të ardhurat dhe për rrjedhojë dhe shpenzimet.

Por buxheti 2021 ia kalon çdo buxheti të mëparshëm për nga optimizmi, ose thënë troç fryrja e çdo gjëje.

Qeveria parashikon që në 2021-in të bëjë ulë më shumë grupin nga ku mund të mbledhë taksa pasi ka premtuar të heqë taksën për biznesin e vogël dhe rrisë pragun e TVSH-së, gjatë një viti kur pandemia do të vazhdojë, si dhe do të zhvillohen dhe zgjedhje.

Ndaj me shumë gjasa, një pjesë e mirë e shpenzimeve që ka parashikuar qeveria në këtë buxhet optimist jashtë çdo pritshmërie, nuk do të mund të realizohet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>