Çadra e Cirkut Kombëtar në prag të uljes, artistët i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë

Nga Exit News
Çadra e Cirkut Kombëtar në prag të uljes, artistët i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë

Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, SPASH i ka kërkuar përmes një letre kryeministrit Edi Rama, ministres së Kulturës dhe asaj të Drejtësisë të ndërhyjnë për të shpëtuar nga shkatërrimi Cirkun Kombëtar.

Cirku Kombëtar rrezikohet pasi çadra ku ai zhvillon aktivitetin mund të ulet nga zyra e përmbarimit e cila kërkon të zbatojë një vendim gjykata për lirimin e truallit të cilit i është njohur pronari.

Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Cirkut, thotë se nga zyra e përmbarimit ka ardhur një letër ku kërkohet lirimi i truallit dhe pagesa e një detyrimi prej 50 milionë lekësh për shfrytëzimin e pronës. Sipas tij, mos bërja e pagesës ka çuar në sekuestro të llogarisë bankare të cirkut. Nga ana tjetër zyra e përmbarimit kërkon që brenda një jave të bëhet ulja e çadrës, në të kundërt ata do të ndrëhyjnë vetë për ta bërë një gjë të tillë.

SPASH kërkon nga autoritetet të ndërhyjnë për të pezulluar ose shtyrë afatin për ekzekutimin e urdhrit të zyrës së përmbarimit. Në letër thuhet se Cirku Kombëtar si institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës nuk është mbrojtur nga qeveria në seancat gjyqësore që janë zhvilluar, të cilat pronari i ka fituar dhe duhet kompensuar, gjë që nuk është realizuar.

Në vitin 2018 në projektligjin për artin dhe kulturën Cirku humbte statusin Kombëtar por më vonë ministria u tërhoq nga ky projektligj.

Megjithatë, qeveria me anë të një VKM-je në 2013 kaloi 2400 metrat katrorë në rrugën Anton Ashta, përballë të digës së liqenit artificial, që ishin në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe ku ishte premtuar ndërtimi i Cirkut të ri Kombëtar, në pronësi të Bashkisë Tiranë që siç shkruhet do të shfrytëzohet për aktivitete social-kulturore të “Cirkut të Tiranës”.

Brenda çadrës së cirkut rreth 410 metra katrorë i janë njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi në vitin 2014.

Prej asaj kohe çështja nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që artistë e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>