Kristian-Demokratët e Gjermanisë regjistruan humbje në dy rajone të dielën, raporton Reuters.
Arsyeja lidhet me një përgjigje të ngathët ndaj koronavirusit, në një kohë që partia përballet në shtator me zgjedhjet federale pa kancelaren Angela Merkel.
Merkel, në pushtet që nga viti 2005, nuk ka kërkuar rizgjedhje në votimin kombëtar dhe Bashkimi i saj Kristian-Demokrat(CDU) tashmë po humbet “bonusin Merkel” që u ka sjellë katër fitore të njëpasnjëshme në zgjedhje.
Zemërimi për shkak të një skandali me prokurimin e maskave të fytyrës në CDU, po shton zhgënjimin me koalicionin e udhëhequr nga konservatorët e Merkel midis gjermanëve.
Faktor kontribues ka qenë edhe shpërndarja e ngadaltë e vaksinave të koronavirusit, shkaktuar nga mungesa e furnizimit dhe burokracia e tepruar.
Votuesit përdorën zgjedhjet rajonale për të shfryrë pakënaqësinë e tyre.
CDU pa se si popullariteti i saj kombëtar u ul nga 40% qershorin e kaluar, kur Gjermania u vlerësua gjerësisht për përgjigjen e saj ndaj pandemisë, në rreth 33% këtë muaj.
Kandidati i SPD për kancelar, Olaf Scholz, tha se rezultatet e së dielës treguan se një qeveri kombëtare pa CDU dhe partinë e saj motër CSU ishte e mundur pas votimeve në shtator.
Të dy rezultatet hapin rrugën për aleancat e mundshme rajonale të të Gjelbëve, SPD dhe Demokratëve të Lirë liberalë (FDP), të cilët qeverisnin në Rhineland-Palatinate dhe para zgjedhjeve të së dielës.
Drejtuesit e CDU kanë frikë se i njëjti konstelacion partish mund të fitojë mbështetjen e mjaftueshme për ta lënë partinë e tyre në opozitë në nivel kombëtar në votimet federal të shtatorit.
Rezultatet e së dielës janë një goditje për kryetarin e partisë CDU Armin Laschet, i cili u pozicionua politikisht në garën për të pasuar Merkel, duke fituar udhëheqjen e CDU dy muaj më parë.
Humbja në Baden-Wuerttemberg, ku CDU ka qenë partner rishtar i koalicionit me të Gjelbrit për pesë vitet e fundit, mund të ndihmojë rivalin bavarez të Laschet, Markus Soeder, të jetë kandidat konservator për kancelar.
Soeder dhe Laschet duan të zgjidhin çështjen e kandidimit deri më 23 maj. Asnjë kancelar gjerman nuk ka ardhur kurrë nga CSU deri më sot.