Në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit u shtrua tapeti i kuq, u ngrit podiumi, u rrjeshtua roja e nderit, u ekzekutuan himnet e Shqipërisë dhe NATO-s dhe pastaj Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Kryeministri i Shqipërisë kaluan ceremonialisht në revistë.
Ceremoni patetetike dhe qesharake.
Ndoshta sepse ndjehet i braktisur dhe i izoluar nga udhëheqësit politikë botërore – pasi askush nuk e përfill më, askush nuk e fton e as kush nuk i vjen. Vetëm kështu mund të shpjegohet shfaqja që vuri në skenë sot Kryeministri Rama duke i ofruar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ceremoninë pritjeje të rezervuar për krerë shtetesh e qeverish në vizitë shtetërore në Shqipëri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është një diplomat që shërben për koordinimin e punës së organizatës dhe për drejtimin e administratës civile të saj. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe si e tillë ajo është punëdhënëse e Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës. Me fjalë të thjeshta, Kryeministri Rama është, në emër të Shqipërisë, punëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Madje si të gjithë kryeministrat e tjerë të vendeve anëtare, ai gëzon të drejtën e vetos për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm.
Në çdo lloj konsiderate, Kryeministri Rama, si kryeministër i një vendi anëtar, është më i rëndësishëm se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Ai është praktikisht vendim-marrës me të drejtë vetoje, ndërsa Sekretari i Pergjithshëm është administrator dhe koordinator. Edhe Ministrja jonë e Mbrojtjes Kodheli ka më shumë peshë në vendim-marrjen e NATO-s se sa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës (edhe pse kanë më pak influencë reale për shkak të peshës së vogël ndërkombëtare të Shqipërisë).
Sekretarit të NATOs nuk i rezervohet në asnjë vend anëtar, pritja që i rezervohet kryetarëve të shtetit. Vizitat e tij në kēto vende janë thjesht vizita pune.
Por Kryeministri Rama donte të na bënte të mendonim që Shqipërisë, natyrisht për meritë të tij, po i bëhej një nder i jashtëzakonshëm. Por na bëri veç të dukemi qesharakë dhe injorantë.
Për të mos folur pastaj për lehtësinë me të cilën Kryeministri Rama pushton Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Oborri i brendshëm i Kryeministrisë, ku janë bërë gjithmonë ceremonitë zyrtare të pritjeve të personaliteteve botërore, duket i vogël për përmasat e kryeministrit tonë. Egoja e tij mund të përmbushet vetëm nga ecja me hap ceremonial në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Ani për kostot që ka kjo tek qytetarët që ju bëhet jeta ferr në trafikun që krijohet. Populli duhet të sakrifikojë kaq pak për udhëheqësin e tij të lavdishëm.