Nazer Seiti, i arrestuar në Shqipëri si anëtar i bandës së Habilajve dhe i kërkuar nga prokuroria e Katanias, do të mbetet në burg pa afat. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot ashpërsimin e masës së arrestit nga “arrest me 20 ditë burg”, në “arrest me burg”.
Ky vendim sjell njëkohësisht dhe bllokimin e ekstradimit drejt Italisë, deri sa të përfundojnë hetimet në Shqipëri.
Kërkesa e prokurorisë për ashpërsimin e masës është bazuar në zbulimin e provave të reja, e më saktësisht të një përgjimi ku Seiti flet me Moisi Habilajn për të liruar nga burgu një të dënuar me nofkën “Maloku” në këmbim të 200 mijë eurove.
Nazer Seiti ka pranuar lidhjet me vëllezërit Habilaj, por vetëm ato familjare, – bashkëshortja e tij është kushurirë e Habiljave, – por nuk ka pranuar të flasë për akuzat për bashkëpunim në trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas gazetës Panorama, prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ofruar Seitit statusin e bashkëpunëtorit, por Seiti ka refuzuar.
Nazer Seiti u arrestua më 19 tetor gjatë aksionit të policisë në Babicë të Vlorës, ku u kapën 4,5 tonë kanabis.