Në mënyrë ironike, dy figurat të cilët kanë mbrojtur vendimet antikushtetuese të Kuvendit për kthimin e listave me kandidatët e institucioneve të vetingut tek Avokati i Popullit, janë të lidhur ngushtë me regjimin që “gjoja” u zëvendësua me demokracinë në vitin 1991.
Gramoz Ruçi aktualisht kryetar i grupit parlamentarë të PS, ish-sekretar i Partisë së Punës në Tepelenë dhe më pas Ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1991, pak përpara rënies së regjimit komunist. Personi i cili në mos personalisht, por të paktën politikisht, ka qënë përgjegjës për masakrën e 2 prillit në Shkodër. Në ngjarjen e 2 prillit u vranë katër protestues të cilët hynë në zyrat e PPSH- së në Shkodër. Gjithashtu, mendohet se ai ka qënë përgjegjës edhe për shkatërrimin e të gjithë arkivës së Sigurimit të Shtetit.
Fatmir Xhafaj, kryetari aktual i komisionit parlamentar ad-hoc për reformën në drejtësi, ka qenë hetues gjatë regjimit komunist dhe sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë i PPSH-së.
Me pak fjalë, si Zoti Ruçi ashtu dhe Zoti Xhafaj, kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste. Natyrshëm të lind pyetja nëse këto dy figura mund të mbrojnë një reformë që synon vendosjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, në ndryshim nga sistemi i kaluar ku të dy bënin pjesë dhe ku gjyqësori ishte vetëm një zgjatje e ekzekutivit. Për ta ilustruar: deri në vitin 1991, profesioni i avokatit nuk ekzistonte, gjyqtari zbatonte ligjin dhe ligji ishte i pakundërshtueshëm. Kjo na tregon diçka më shumë për Gramoz Ruçin e Fatmir Xhafajn dhe sistemin në të cilin ata ishin pjesë.
Por le të analizojmë argumentet e përdorura nga Zotit Xhafa në mbrojtje të manovrave jo kushtetuese të Kuvendit. Argumenti i parë i tij mbështetet në rëndësinë e vetingut:
Nëse procesi i vetingut nuk kryhet në kohë do të krijonte pasoja direkte në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP, pasi këto institucione kanë një afat të kufizuar nga Kushtetuta. Prandaj është i rëndësishëm vetingu. Por unë besoj se do të bëhet në kohë”
Ai ka të drejtë kur shprehet se KLP dhe KLGJ kanë afate kohore të parashikuara në Kushtetutë, por ato janë të pavarura nga institucionet e vetingut. Sipas nenit 147 dhe 179 pika 5 dhe 6 të Kushtetutës, vetingu i kandidatëve të KLP-së dhe KLGJ-së kryhet nga Kuvendi, nën vëzhgimin e Bordit Ndërkombëtarë të Monitorimit (ONM). Pra ato nuk varen nga krijimi i tre institucioneve të vetingut.
Mënyra më e mirë do të ishte që kandidatët e KLP dhe KLGJ t’i nënshtrohen vetingut përpara se ato të diskutohen në Kuvend, në mënyrë që të shmangen lëvizjet e mëvonshme brenda dy institucioneve. Sidoqoftë, kjo nuk parashikohet në Kushtetutë në kundërshtim me atë që deklaron Zoti Xhafaj.
Kuvendi në më shumë se sa një rast gjatë kohëve të fundit ka shkelur afatet kohore. Ndaj pse kësaj herë duhet të jetë ndryshe?
Për më tepër, nëse vërtet do të kishte nxitim, Kuvendi mund të kishte formuar komisionin ad hoc, i cili në bazë të Kushtetutës dhe rekomandimeve të ONM-së, mund të bënte të njëjtin proces që tani, në shkelje të ligjit, i është kërkuar Avokatit të Popullit ta bëjë.
Fakti që opozita ka bojkotuar Kuvendin nuk është problem kushtetues, është problem i Zotit Xhafaj dhe Zotit Ruçi, dhe i paftësisë së partisë së tyre për të arritur në një kompromis të arsyeshëm me opozitën. Gjithashtu ky është një problem i Zotit Basha dhe partisë së tij, sepse vonesat e mëtejshme në procein e vetingut nuk do t’i ndihmojnë ato në të ardhmen.
Më pas për të mbrojtur vendimin për kthimin e listave të kandidatëve sërish pranë Zyrës së Avokatit të Shtetit, Xhafaj tha se: “Ne kërkojmë të vendosim barazi të të gjtihë atyre që kanë dashur të aplikojnë por për arsye të kohës së shkurtër.”
Në fund, Fatmir Xhafaj, tenton të mbrojë vendimin për tàja dërguar Avokatit të Popullit listat, duke thënë se dorëzimi I listave në një instituciontjetër do të ishte “antikushtetues”:
Ky kthim është një process administrativ dhe ky kthim është bërë për këtë aspekt të këtij procesi, jo për aspektin kushtetues, nëse do ia hiqnim këtë rol Avokatit të Popullit dhe t’ia jepnim një institucioni tjetër, në këtë fazë të procesit, atëherë do të kishim devijim nga norma dhe detyrimi kushtetues.
Sërish kjo është një lojë fjalësh e pakuptimtë. Saktësisht, duke dërguar listën me kandidatë e kualifikuar nga ONM sërisht pranë Avokatit të Popullit, Kuvendi doli nga detyra e tij kushtetuese.
Avokatit i Popullit nuk i lejohet të hapi zarfin i cili përmban rekomandimet e ONM-së dhe të kontrollojë se kush nga kandidatët e shtuar duhet të paraqesë dokumenta shtesë.
Kishte dhe ka vetëm një rrugë konform kushtetutës: krijimi i komisioneve parlamentare ad-hoc me 3 anëtarë nga opoziat dhe 3 anëtarë nga shumica. Të dërgohet pranë tyre lista me rekomandimet e ONM-së, dhe t’i kërkohet, sipas Kushtetutës, dhe të përpilojnë listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar. Kjo është e vetmja “detyrë kushtetuese” për tu kryer.