Oficeri i policisë Saimir Hoxha u vra në detyrë, pa uniformë policie ndërkohë më herët kishte djegur një parcelë kanabis me dy kolegë.
Saimir Hoxha u qëllua nga Aldi Rama pasi ndaloi automjetin ku i riu ndodhej sëbashku me dy shokë të tij, pasi i kërkoi dokumentin e identifikimit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, denoncimi për ekzistencën e një parcelë me kanabis në zonën Kune Vain në Lezhë erdhi në rrugë operative, pra jo drejtpërdrejtë në komisariatin e policisë së Lezhës.
Për të verifikuar denoncimin shkuan tre policë, një prej tyre shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë.
Policët kanë qenë me veshje civile dhe vetëm një prej tyre ka patur një jelek me mbishkrimin “policia”.
Tre policët kanë gjetur parcelën e kanabisit dhe kanë djegur pjesën më të madhe të bimëve.
Në kthim ata janë shkëmbyer me një automjet, i cili më pas i ka ndjekur. Policët kanë ndaluar dhe i kanë kërkuar personave në automjet dokumentet e identifikimit.
Aldi Rama ishte i vetmi që nuk iu bind urdhrit dhe qëlloi ndaj policëve, duke plagosur rëndë Saimir Hoxhën, i cili ndërroi jetë gjatë transportit në spital.
Për këtë dinamikë të përshkruar në njoftimin e policisë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) ka ngritur disa pikpyetje duke hapur një hetim.
SHÇBA po heton nëse janë zbatuar procedurat që duhet të ndjek Policia kur ndërmerr një aksion anti-kanabis. Shkuarja e vetëm tre policëve, pa forca shtesë dhe të pa pajisur me uniformë mbrojtëse si edhe vendimi për të asgjesuar ata të tre një parcelë, janë hapa të cilët po hetohen.
Po verifikohet gjithashtu nëse polici Saimir Hoxha ka qenë në orarin zyrtar të punës në kohën e kryerjes së aksionit.
Përveç hetimit administrativ, SHÇBA po kryen edhe hetim penal mbi shkaqet që çuan në vrasjen e policit dhe të autorit të ngjarjes më vonë.
SHÇBA po heton në lidhje me mundësinë e një përplasjeje të mundshme verbale të efektivëve të policisë me të Aldi Ramën pranë makinës ku ngjarja ndodhi. A ka pasur tejkalim kompetencash në përdorimin e armës, lëvizjet dhe paralajmërimet.
Në automjetin e të arrestuarve nuk janë gjetur gjurmë kanabisi, duke zbehur mundësinë që ata të kenë qenë nën efektin e kanabisit, megjithatë kjo nuk përjashton që ata të kenë qenë roje të parcelës.
Duhet kujtuar se pas përplasjes me policinë, Aldi Rama u largua me automjet e më pas në këmbë. Gjatë përpjekjeve për t’u kapur, ai rezulton të ketë qëlluar veten në kokë me pistoletë dhe më pas ndërroi jetë në spital.
SHÇBA po heton gjithashtu nëse RENA ka bërë ose jo thirrje me megafon drejt tij për t’u dorëzuar.
I riu që vrau policin rezulton person i dhunshëm, përdorues lëndësh narkotike dhe i dënuar për vjedhje. Megjthatë ai i shpëtoi mbikqyrjes dhe mbante armë me të cilën qarkullonte edhe në zona të mbrojtura, siç është zona ku u gjet parcela me kanabis dhe ndodhi përplasja me policinë.