Çfarë do të doja të gjeja në Projekt Buxhetin 2021

Nga Irena Beqiraj
Çfarë do të doja të gjeja në Projekt Buxhetin 2021

Në një leksion të vitit 1996 me titull “Ligjet e mëdha të mbetura në trotuar”, Mancur Olson bëri një vëzhgim të fortë: “Një individ nga një vend i varfër – të themi, Haiti – i cili emigron në një vend më të pasur si Shtetet e Bashkuara, menjëherë bëhet jashtëzakonisht më produktiv. Individi nuk ndryshoi brenda natës, kështu që aftësitë apo qëndrimet kulturore të tij nuk mund të shpjegojnë situatën e tij të përmirësuar. Përgjigja e rritjes së produktivitetit qëndron tek mjedisi i tij i ri”.

Buxheti i vitit 2021 do të jetë pa asnjë dyshim një “ligj i madh i mbetur mbi trotuar”, pasi nuk bën asnjë përpjekje për ta thyer mjedisin shqiptar në një mjedis më produktiv.
Do ta lodhja lexuesin e këtyre rreshtave nëse do të analizoja “arritjet afatshkurtra” që do të ofrojë Buxheti 2021. Por shkurtimisht do të dëshiroja të rendisja dy dështime afatgjata që do të dëshiroja t’i gjeja të adresuara në Buxhetin 2021 e më tej.

Ngritjen e një programi të përhershëm garancie për kreditimin e sektorit privat

Raporti i kredisë mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto për 5 vite nga 2014 tek 2018 për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor paraqitet siç tregohet në tabelë.

Beqiraj tabela

Lehtësisht vihet re që Shqipëria ka raportin më të ulët të kredisë të sektorit privat mbi PBB-në krahasur me vendet e rajonit për vitin 2018. Së dyti, Shqipëria ka përjetuar një tkurrje me -0.2% të nivelit të kredisë për vitin 2018 krahasuar me vitin 2014, ndërkohë që gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar rritje të nivelit të kredisë për vitin 2018 krahasuar me vitin 2014 (Kosova mban vendin e parë me një rritje 51.9%, në Mal të Zi kredia është rritur me 27.8%, në Maqedoninë e Veriut 24,7%, në Serbi me 24% dhe në Bosnjë me 20.6%.

Së treti, vendi që ka shfaqur “fobinë më të madhe” ndaj kredisë për periudhën 2014-2018, është Shqipëria me një ulje prej 6.2% të raportit të kredisë mbi PPB (nga 39.3% në 33.1%). Shqipëria po ashtu ka përjetuar edhe rritjen ekonomike kumulative më të ulët për vitet 2014-2018, e cila llogaritet 18.4%.

Kjo situatë është shqetësuese pasi tregon që edhe ulja e vërejtur në normat e interesit, nuk ka arritur ta ushqejë rritjen e kredisë. Ky kreditim i ulët i sektorit privat është shoqëruar edhe me një ulje të investimeve private nga 19% e PBB-së në 2014 në 16% e PBB në 2018. Studimet empirike tregojnë që ulja e kreditimit në sektorin privat shoqërohet me rritje të borxhit publik.

Ndërkohë që Qeveria pretendon të mbështesë rritjen e ardhshme ekonomike tek rindërtimi dhe rritja e investimeve publike, apo përdorimi i PPP (siç shprehet në projekt buxhetin e vitit 2021) është mirë të rikujtojmë që multiplikatori i Investimeve Publike është shumë afër zeros. Eksperienca tregon që investimet publike nuk prodhojnë shumë përveçse niveleve më të larta të borxhit. Ai që duhet të rrisë shpejtësinë është motorri i sektorit privat. Fakti që ky sektor që para pandemisë ka përjetuar ulje të investimeve dhe kreditimit, do të vështirësojë dhe zgjasë kohën e rimbëkëmbjes. Në këto kushte, një garanci e vazhdueshme e kreditimit të sektorit privat duhet të ishte pjesë e Buxhetit 2021 e më tej.

Sipas Bankës Botërore, garantimi i kredisë për sektorin privat i prezantuar nga qeveria në përgjigje të krizës COVID-19 duhet të shndërrohet në një program të targetuar dhe të përhershëm. Edhe pse krijimi dhe implementimi i një skeme të përhershme garacie për kreditë e sektorit privat me një strukturë transparente, me kornizë rigoroze menaxhimi, si dhe me monitorim të kujdesshëm të riskut, kërkon kohë, nuk është e pamundur dhe është shumë i nevojshëm në afat të gjatë. Ndërtimi i plotë i një skeme të mirëmenaxhuar të sigurimit të kredive, jo vëtëm që do të rriste mundësinë e kreditimit të sektorëve privatë por do të mundësonte një përdorim më efektiv dhe më eficent të burimeve, jo vetëm të buxhetit por edhe të donatorëve duke maksimizuar ndikimin në ekonomi.

Krijimi i Institutit të Produktivitetit

Rritja e produktivitetit është thelbësore për të çuar përpara rimëkëmbjen ekonomike dhe e vetmja mënyrë për të rritur pagat dhe standartet e jetesës pa rritur borxhin publik. Edhe pse pengesat për rritjen e produktivitetit janë gati universale, zgjidhjet fatkeqësisht janë specifike për secilin vend. Zgjidhjet për rritjen e produktivitetit pasqyrojnë trashëgiminë e vendit, burimet natyrore të tij, historinë industriale, vendndodhjen dhe politikat lokale. Nuk ka akoma asnjë shkencë e cila të përcaktojë llojet e vendimeve që duhet të merren në nivele të ndryshme të qeverisjes për rritjen e tij. Fatkeqësisht nuk ka një model universal që mund ta ndjekim, sepse ekonomitë e lumtura janë të gjitha njësoj; çdo ekonomi e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet.

Mungesës së vëmendjes së kushtuar deri më tani ndaj gjetjes së zgjidhjeve për rritjen e produktivitetit duhet t’i vijë fundi. Ekonomistët dhe politikëbërësit duhet të fillojnë ta ndreqin këtë pa vonesë. Në Buxhetin e vitit 2021 e më tej do të duhej të parashikohej ngritja e Institutit të Produktivitetit, i cili do të shërbente jo vetëm si një organizëm i kërkim-zhvillimit për ekonominë, por do të ishte burimi i informacionit për politikëbërësit, bizneset dhe individët duke i ndihmuar të bënin vendimarrje të informuara.
Projekt buxheti është deklarata e prioriteteve qeveritare. Deklarata e vitit 2021 nuk bën përjashtim nga rregulli, tregon sërisht mungesën e vizionit afatgjatë të politikëbërjes.

1 koment

  1. liu 25 Tetor, 2020 në 8:04 pm

    TI DO GJESH ATE QE NA KE CA KARIN PER BYTHQIR EDIN.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme