Cilat dosje mund të jenë grabitur sot nga Prokuroria Durrës?

Cilat dosje mund të jenë grabitur sot nga Prokuroria Durrës?

Dokumentet e prokurorisë Durrës janë grabitur dy herë brenda dy javësh. Më 8 maj, persona ende të paidentifikuar grabitën me dhunë postën sekrete të kësaj prokurorie, ndërsa mëngjesin e sotëm janë grabitur dosjet nga zyra e prokurorit Afrim Shehu dhe serveri qendror.

Një tjetër zyrë që është bastisur është ajo e oficerit të Policisë Gjyqësore që punonte me prokurorin Afrim Shehu. Oficeri i policisë gjyqësore është njëkohësisht dhe pjesë e task-forcës “Forca e Ligji”.

Sipas burimeve të Exit.al, prokurori Shehu kishte në përgjegjësi dosje të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë si për shembull:

– Dosja e hetimit për ekstradimin e Nazer Seitit, ne vendimin e ekstradimit të së cilit është e përfshirë edhe vetë Arta Marku. Kjo dosje i është dërguar pikërisht Task Forcës në Durrës në janar 2018.

– Dosja e hetimit për 613 kilogramë kokainë të kapura në Maminas në shkurt 2018. Kjo dosje i kaloi prokurorisë Durrës në mars 2018, kur prokuroria drejtohej ende nga Donika Prela, një prej njerëzve më të afërt të Arta Markut.

– Dosja e hetimit për kamionin me tetë ton kanabis të kapur në Itali dhe që kishte kaluar pa u vë re në dy pika të rëndësishme kufitare në Qafë Thanë dhe në Durrës dhe dokumentet e zhdoganimit ishin bërë nga kompania e bashkëshortes së Kryebashkiakut të Elbasanit.

– Dosja e hetimit për lirimin me kusht të Lulzim Berishës, ku është i përfshirë dhe kryebashkiaku Vangjush Dako.

– Dosja e hetimit për gjyqtarët të cilët kanë dhënë vendimin për tjetërsimin e truallit ku ndodhet godina “Vollga”, çështje ku është i përfshirë dhe Emiljano Shullazi.

– Dosjen e hetimit për tjetërsimin e pronave në bregun e Ishmit, çështje për të cilën janë arrestuar katër persona, mes të cilëve dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm.

Gjithashtu po heton edhe dy drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë Durrës, si:

– Dosja e hetimit për dhënien e lejeve të paligjshme brenda zonës së mbrojtur në Durrës, nga Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimi të territorit në Bashkinë Durrës.

– Dosja e hetimit për zyrtarët e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Durrës.

Që me emërimin e Arta Markut, prokuroria e Durrësit është kthyer në një prej prokurorive më të rëndësishme, duke marrë shumë dosje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nga Prokuroria e Tiranës. Për këtë arsye, Arta Marku emëroi Donika Prelën, një prej mikeshave më të afërta të saj, në krye të prokurorisë Durrës në janar 2018, pasi shkarkoi në shkelje të ligjit Agron Gjanën.

Në 9 maj, një ditë pas vjedhjes me dhunë të postës sekrete, në vend që të vinte përpara përgjegjësisë për ngjarjen drejtuesen e prokurorisë, Arta Marku e ngriti në detyrë Donika Prelën, duke e sjellë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, në vend të Besim Hajdarmatajt.

Vendin e Prelës në Durrës e zyri Anita Jella, deri në ato moment zëvendesdrejtuese e prokurorisë Durrës.

Anita Jella është një tjetër prokurore e afërt me Arta Markun. Marku dhe Jella kanë qenë në të njëjtin grup gjatë studimeve në Shkollën e Magjistraturës.  Por përveç ngritjes në detyrë të Jellës, Arta Marku ka sjellë javët e fundit pranë saj në Prokurorinë e Përgjithshme edhe bashkëshortin e Jellës, Erjon Shqarri, i cili më parë shërbente si prokuror në Vlorë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>