Çfarë duhet ditur për kufirin detar të Shqipërisë?

Nga Ivi Bejtja
Çfarë duhet ditur për kufirin detar të Shqipërisë?

Debati për përcaktimin e kufirit detar Shqiptar ka marrë vëmendjen e publikut vetëm gjatë dekadës së fundit me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese. E vërteta është se të gjitha mundësitë për një marrëveshje të re me shtetin Grek mbeten të hapura, vetëm nën lupën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku aq lehtë sa shpjegohet metoda që duhet të ndiqet, aq e vështirë mbetet për tu negociuar bazuar mbi të.

Përcaktimi i kufijve Shqiptar tokësor dhe ujor normalisht ecin paralelisht sëbashku për nga natyra juridike dhe faktike. Proçesi i delimitimit apo demarkacionit kufitar nuk është cështje e brendshme e një shteti, por çështje midis dy ose më shumë shtetesh. Si rrjedhojë shtetet arrijnë marrëveshje ose traktate ndërkombëtare, të cilat më pas të gëzojnë njohje ndërkombëtare.

Publiku është njohur me “ndarjen e kufirit detar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë” vetëm nëpërmjet replikave politike të brendshme, ngacmimeve nacionaliste greke dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për qytetarët, të gjitha këto kanë sjellë konfuzion më tepër se sa qartësimin e çështjes.

Duhet të dimë se përcaktimi i kufijve detar deri në fillim të shekullit të XVIII është bazuar mbi të  drejtën zakonore të kohës, ndërsa thuajse nga mesi i këtij shekulli filloi duke u formalizuar kjo e drejtë dhe si rezultat u arrit dokumenti përfundimtar i Konventës për të Drejtën e Detit të Kombeve të Bashkuara (I.e UNCLOS) në Montego Bay të Xhamajkës në 10 dhjetor 1982.

Shqipëria në atë kohë ka votuar kundër cdo pikë të Konventës duke mos u bërë pjesë e saj. Qendrimet e saj vinin si rezultat i ideologjisë dhe ngjarjes me anijet britanike në Kanalin e Korfuzit.

Shqipëria ratifikoi Konventën në vitin 2003. Edhe pse u bë pjesë e ligjeve shqiptare në periudhë të vonshme, Konventa është zbatuar pjesërisht më herët.

Fillimisht është e nevojshme shpjegimi i disa termave teknikë për të drejtën e detit.

Vijat Bazë

Vijat bazë janë vijat të cilat shtetet i përdorin për të përcakuar kufijtë detar dhe zonat detare (ujrat e brendshme, detin territorial, zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental). Ato janë të rëndësishme pasi përcaktimi tyre është pikënisja për përcaktimin e të gjitha hapësirave të tjera detare.

Sipas konventës vijat bazë janë dy lloje.

Vija bazë normale, e cila aplikohet përgjatë gjireve sipas vijës së zbaticave në brigje.

Vija bazë e drejtë, e cila aplikohet kur bregdeti është thellësisht i dhëmbëzuar dhe i prerë (kepe). Metoda për e matjen e vijës bazë të drejtë konsiston në bashkimin e pikave të dhëmbëzimeve, nga masat e tokës. Gjerësia saj nuk i kalon 24 miljet detare.

Deti territorial

Neni 3 i UNCLOS-it  përcakton se çdo shtet ka të drejtën të zgjerohet deri në 12 milje nga vija bazë. Kjo hapësirë quhet det territorial. Megjithatë mbetet në vullnet të shteteve përcaktimi i kësaj gjerësie por duke respektuar konventën. Deti territorial është pjesë e territorit të shtetit dhe ndaj tij ushtrohet sovranitet i plotë.

Ujrat e brendshëm

Ujrat e brendshëm është zona para detit territorial, janë ujra që lagin brigjet e një shteti dhe përfshijnë lumenjtë, liqenet, përrenjtë, ujrat e gjireve dhe ujrat e porteve.

Infograma e hapesirave detare
Infograma e hapësirave detare

Historiku i vijës bazë dhe detit territorial në Shqipëri ka patur zhvillime interesante përgjatë kohës.

Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës me vendimet e 22 marsit dhe 11 gushtit të 1913 dhe nga dy Komisione të Posaçme. Ato u fiksuan në Protokollet e Firences në 17 dhjetor 1913, 27 janarit 1925 dhe 26 korrik 1926. Në protokollet e Firences mund të gjejmë hapat e para të njohjes dhe ndarjes të kufirit detar të Shqipërisë me vendet fqinje në veri me ish-Jugoslavinë dhe në jug me Greqinë.

Problemet juridiko-fizike më të mëdha për përcaktimin e kufirit detar kanë qenë dhe janë ato me Greqinë.

Në vitin 1946, Shqipëria shpall për herë të parë detin territorial nga vija bazë me gjerësi 6 milje, 1 vit pas incidentit të dytë të Kanalit të Korfuzit. Në 1 Mars 1960 Shqipëria u zgjerua drejt Adriatikut me një gjerësi 10 milje duke përdorur vijën bazë normale. Me Dekretin e vitit 1970, Shqipëria ndryshon vijën bazë dhe gjerësinë e detit territorial. Kështu me anë të tij u përdor vija bazë e drejtë dhe deti territorial u zgjerua nga 10 në 12 milje detare. Ky i fundit shtrihej nga derdhja e Bunës, nëpër Kepin e Muzhit (Rodonit), të Pallës së Durrësit, të Lagjit (kalasë së Turrës), të Semanit, bregu të ishullit të sazanit dhe gjer në mes të ngushticës së Kanalit të Korfuzit. Gjithashtu përfshiheshin ujrat e brendshëm vetëm të gjireve të detit Adriatik.

Dekreti i vitit 1976, ndryshoi sa më sipër duke zgjeruar detin territorial në 15 milje, ndërkohë limiti maksimal ishte 12 milje sipas konventës së Gjenevës për detin. Ky zgjerim pati kontestimin e SHBA-ve si e pa pranueshme. Kështu deti territorial shtrihet nga derdhja e bunës dhe deti Adriatik. Ujrave të brendshëm iu shtuan edhe gjiret e detit Jon.

Ndryshe nga shtetet e tjera Shqipëria ka patur mungesë të përcaktimit të koordinatave të hapësirave për vijat bazë dhe detit territorial.

Në vitin 1990 Shqipëria zvogëloi detin territorial nga 15 në 12 milje detare. Ajo pranoi dhe respektoi për herë të parë nenin 3 të Konventës, edhe pse nuk e kishte ratifikuar ende duke i qëndruar gjerësisë të 12 miljeve detare depozitoi këtë vendim pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në viti 1992, Shqipëria arriti për herë të parë një marrëveshje ndërkombëtare mbi të drejtën e detit. Marrëveshja u lidh mes saj dhe Italisë dhe kishte të bënte me delimitimin e shelfit kontinental.

Shelfi kontinental është shtrati i detit, i cili është vazhdimi i bregut deri në një pikë ku ky shtrat pëson ulje në thellësi të mëdha. Shelfi përfshin ekskluzivitetin e shtetit për kërkime në tokë dhe nëntokë deri në 200 milje, dhe në raste të veçanta deri në 350 milje detare, nga vija bazë. Ndryshe nga shelfi kontinental Zona Ekonomike Ekskluzive (ZEE), me gjerësi deri në 200 milje detare, është hapësira nga sipërfaqja e ujit deri në thellësinë e shelfit, por pa e përfshirë atë. Ajo shfrytëzohet nga shtetet për aktivitetet kërkimore, peshkimi, lundrimi etj. Në shelfin kontinental dhe në ZEE shtetet nuk ushtrojnë sovranitetin e tyre.

SHELFI ITA AL
SHELFI Itali-Shqiperi

Metoda që ndoqën të dy shtetet për delimitimin e shelfit kontinental ishte mesorja mes dy vijave bazë të të dy shteteve. Në marrëveshje përcaktohen për herë të parë koordinatat e pikave delimitiuese të shelfit kontinental. Duhet theksuar se negociatat kishin filluar qysh në vitin 1986 duke marrë parasysh vijën bazë të drejtë të vitit 1970 por pa diskutuar gjerësinë e detit territorial të dy shteteve. Marrëveshja u ratifikua nga parlamenti i shqiptar dhe hyri në fuqi në vitin 1993. Ndërsa Italia e ratifikoi në 1995 dhe kjo marrëveshje është në fuqi që prej vitit 1999.

Në vitin 2001 Shqipëria miratoi ligjin e ri “Për kufirin e Shqipërisë” duke shfuqizuar të gjitha dekretet e mëparshme për kufirin detar.  Megjithatë, Shqipëria mbajti vijën bazë të drejtë dhe gjerësinë prej 12 miljesh të detit territorial.

Dy vjet më pas, në 2003, Shqipëria aderon me të drejta të plota duke ratifikuar Konvetën e UNCLOS-it. Fill pas aderimit, Shqipëria merr notë verbale nga Sekretariati i OKB-së për paqartësi në deklarimin e vijës bazë në përputhje me Konventën. Sipas nenit 16 të saj, vijat bazë për matjen e detit territorial dhe zonave të tjera duhet të jenë të ilustruara në harta por mund të paraqiten specifikisht nëpërmjet koordinatave.

Aktualisht nuk dihen ende veprimet që ndërmori Shqipëria për të realizuar këtë kërkesë.

Deri në ditët e sotme Shqipëria nuk ka përcaktuar vijën bazë me koordinata, por vetëm me fjalë.

Në vitin 2007, Shqipëria filloi negociatat me Greqinë për delimitimin e shelfit kontinental dhe hapësirave detare përkatëse. Në funksion të negociatave, në vitin 2008 shfuqizon tërësisht ligjin e vitit 2001 duke hequr vijën bazë të drejtë.

Marrëveshja për delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë u arrit në 2009. Ajo nuk u ratifikua në parlament pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr.15, e shfuqizoi marrëveshjen duke argumentuar se marrëveshja nuk po delimitonte shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive, por detin territorial. Kjo do të thotë palët do të binin dakort për delimitimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe jo të zonave detare.

Nga ana tjetër GJK konstatoi se Greqia dhe Shqipëria përdornin vija të ndryshme bazë për të delimituar zonat detare. Konkretisht Shqipëria përdorte vijën bazë normale ndërsa Greqia vijën bazë të drejtë.

GJK argumentoi se kjo gjë sillte do t’i jepte palës greke më shumë det se sa i takonte.

Më tej GJK shprehet se palët kishin rënë dakort të përdornin vijën e Mesit si vijë ndarëse për brigjet e secilit breg. Vija e Mesit përdoren për të ndarë në mes hapësirat detare të shteteve të cilët kërkojnë të delimitohen. Mirëpo kjo gjë sjell pabarazi në pjesë mes shteteve pasi brigjet e secilit shtet kanë karakteristika të ndryshme.

Gjykata udhëzoi palën shqiptare të përdori parimin e barazisë ose Ekitesë, për të korrigjuar padrejtësisë që sjell përdorimi i vijës së mesit.

Së fundmi Gjykata pohon se marrëveshja përcaktonte se Greqia dhe Shqipëria nuk do të ushtronin asnjë pjesë sovraniteti për ujin, shtratin e detit dhe nëntokën në pjesën e kufirit mes tyre. Gjykata argumentoi se meqë marrëveshja delimiton detin territorial, kemi bëjmë me territorin e Shqipërisë dhe është antikushtetuese të kërkohet që kjo e fundit të mos ushtroj sovrantitetin e saj.

Ky vendim ka nxjerrë në pah parregullsitë e marrëveshjes mes dy shteteve por ama fuqia e tij nuk mund t’i imponohet palës greke. Kjo do të thotë se në negociata me palën greke vendimi i GJK duhet të shërbejë si orientim për palën shqiptare jo si argument për të bindur palën tjetër.

Pas vendimit të GJK, në vitin 2012, Shqipëria miratoi ndryshime në ligjin “Për kufirin” dhe risjell vijën bazë të drejtë. Përpjekjet për rinegocim me palën greke vazhduan sërisht duke tentuar për zgjidhje përfundimtare nga qeveria pasardhëse.

Përgjatë gjithë kohës, përcaktimi i hapësirave dhe kufirit detar nga pala shqiptare ka qenë gjithmonë me mangësi e i paplotë. Nota Verbale e 2003 nga OKB duhej të nxiste Shqipërinë të ndërmerrte hapa konkrete dhe serioze për të plotësuar kuadrin ligjor të brendshëm.

Si shembull mund të merrej Marrëveshja për Delimitimin e Shelfit Kontinental me Italinë, Italia gjatë negocimeve me Shqipërinë, ka shfaqur në tryezë vijat bazë dhe gjiret nëpërmjet koordinatave.

Ndërsa vendimi GJK duhej t’i shërbente si pikënisje për të regulluar çdo mangësi ligjore të së shkuarës. Në këtë mënyrë Shqipëria do ti hapte rrugën për rinisje të negociatave në një mënyrë të drejtë edhe në interes kombëtar.

Greqia, nga ana tjetër nuk ka asnjë vendim të GJK për delimitimin e hapësirave detare dhe veprimet e saj janë të pakufizueshme. Ajo nuk e ka të përcaktuar ligjërisht as vijën bazë në asnjë dokument kombëtar apo ndërkombëtar. Akti i vetëm juridik që ajo ka është zgjerimi me 6 milje detare të detit territorial dhe se çdo delimitim i hapësirave ujore bazohet në Konventë dhe diplomaci.

Greqia është shprehur se nuk është në interesin e saj respektimi i vendimit të GJK të Shqipërisë dhe dakortësia mbi ato kushte nuk e favorizon. Ndërsa për palën Shqiptare, nëse marrëveshja nuk arrihet sipas vendimit të GJK do të ketë fatin e marrëveshjes së mëparshme.

Gjasat janë se e vetmja zgjidhje për arritjen e një marrëveshje janë Tribunalet Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>