Çfarë mund të blesh në vend të Iphone X?

Çfarë mund të blesh në vend të Iphone X?

Kompania amerikane Apple sapo ka hedhur në treg tre modele të reja të telefonave Iphone 8, Iphone 8 plus dhe Iphone X.

Përveç risive teknologjike si hapja e celularit me anë të identifikimit të fytyrës, karikimi wireless apo cilësësia shumë e lartë e kameras, ajo çka ka habitur më shumë fansat e Apple është çmimi i Iphone X, më i larti ndonjëhere për një Iphone: 999 dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose 999 paund në Mbretërinë e Bashkuar.

Pavarësisht se fansat e zjarrtë të Apple në gjithë botën ndoshta do ta blinin pa e menduar dy herë produktin më të famshëm të momentit, përdorues të rrjeteve sociale kanë nisur t’i japin njëri tjetrit sygjerime se çfarë mund të blesh me kaq shumë para në vend të Iphone X.

Po në Shqipëri, nëse ke kaq para të ruajtura mënjanë, ku dhe për çfarë mund t’i shpenzosh?

Udhëtime

Megjithëse sezoni veror ka mbaruar zyrtarisht, koha në Shqipëri të lejon të shfrytëzosh dhe muajin shtator për të kaluar ende ndonjë fundjavë në plazh. Po ashtu, pika turistike si Pogradeci, Voskopoja, Dardha,Thethi, Vermoshi, Valbona apo dhe Kosova janë shumë të përshtatshme për tu vizituar në vjeshtë. Me paratë që mund të blinit një Iphone X mund të mbulonit shpenzimet e disa fundjaveve udhëtim në gjithë Shqipërinë. Nëse preferoni të vizitoni shtete të tjera, me 999 dollarë ka plot destinacione për tu zbuluar.

Të mësosh një gjuhë të huaj

Nëse vërtet e keni mbyllur sezonin veror dhe tashmë i jeni rikthyer rutinës së përditshme në punë apo shkollë, kohën e lirë mund ta kaloni duke mësuar një gjuhë të huaj nga ato që janë shumë të kërkuara vitet e fundit si anglisht, gjermanisht, italisht e frengjisht, apo pse jo një gjuhë të veçantë si gjuha japoneze apo kineze. Duke krahasuar tarifat mesatare në tregun shqiptar, me paratë e kursyera nga mosblerja e Iphone X mund të mbuloni të paktën shpenzimet për katër nivele kursi të një gjuhe të huaj.

Mund të abonoheni në palestër

Nëse nuk preferoni të vraponi nga Parku i Liqenit Artficial për të mbajtur trupin në formë, zgjidhja tjetër është gjithnjë palestra apo sporte të ndryshme. Me të njëjtën shumë që mund të blini Iphone X, mund të abonoheni për rreth 2 vjet (duke marrë në konsideratë një çmim mesatar prej 5 mijë lekësh në muaj) në palestër. Trupi juaj do ju falenderojë nëse bëni këtë zgjedhje.

Mund të blini një kafshë shtëpiake

Me të njëjtën shumë parash, mund të blesh po një mik për çdo ditë, vetëm kësaj radhe jo një mik që ka nevojë për karikim, por për ushqim. Qentë apo mace të rracave të ndryshme variojnë në çmime të ndryshme. Për 999 dollarë mund të blini kafshë të rracave më të veçanta.

Një Iphone 8

Nëse vërtetë dëshironi të keni celularin më të ri të Apple, blini modelin tjetër që u prezantua njëkohësisht me Iphone X. Iphone 8 kushton 699 dollarë, kështu që ende do ju mbeten disa para në xhep.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>