Çfarë ndodh me zgjedhjet presidenciale në SHBA, nëse vdes kandidati për President?

Nga Exit News
Çfarë ndodh me zgjedhjet presidenciale në SHBA, nëse vdes kandidati për President?

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump u shtrua në spital, të premten, pas infektimit me Covid-19. Mediat raportojnë se ai duhet të qendrojë në spital për disa ditë. Sipas shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Trump ka simptoma të lehta.

Por diagnostifikimi i tij, 5 javë përpara zgjedhjeve, ka ngritur shumë pyetje rreth asaj që mund të ndodhë nëse kandidati për president ose presidenti i zgjedhur vdes ose është i pamundur për të vepruar.

Reuters ka bërë një analizë se çfarë parashikon ligji amerikan në këto raste:

A mund të shtyhen zgjedhjet e 3 nentorit?

Po, por ka shumë pak gjasa të ndodhë një gjë e tillë. Kushtetuta amerikane i jep kongresit pushtetin të vendosë datën e zgjedhjeve. Sipas ligjit të SHBA-ve, zgjedhjet zhvillohen të martën e parë, pas të hënës së parë, të nentorit, çdo katër vjet.

Dhoma e Përfaqësuesve në kongres kontrollohet nga demokratët, të cilët nuk do të pranonin një shtyrje të zgjedhjeve, edhe nëse Senati i kontrolluar nga republikanët do të miratonte shtyrjen e tyre. Zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk janë shtyrë asnjëherë.

Çfarë ndodh nëse kandidati vdes përpara zgjedhjeve?

Të dyja, Komiteti Kombëtar Demokrat dhe Komiteti Kombëtar Republikan kanë rregulla të qarta. Ata thërrasin anëtarët e tyre të votojnë një kandidat zëvendësues. Edhe pse do të jetë shumë vonë për një kandidat për të zhvilluar fushatë zgjedhore.

Ndërkohë fletët e votimit janë bërë gati, afatet kohore për ndryshimin e tyre kanë kaluar, dhe janë shpërndarë fletët e votimit për personat që do të votojnë me postë në 24 shtete.

Nëse Kongresi nuk do të shtyjë zgjedhjet, votuesit do të zgjedhin mes Trumpit dhe Biden, edhe nëse njëri prej tyre vdes përpara 3 nentorit.

Çfarë ndodh nëse një kandidat vdes para se të votojë Kolegji Zgjedhor?

Sipas sistemit të Kolegjit Zgjedhor, fituesi i zgjedhjeve përcaktohet duke siguruar shumicën e “votave elektorale” të shpërndara në 50 shtetet dhe Rrethin e Kolumbisë në proporcion me popullsinë e tyre.

Zgjedhësit e Kolegjit Zgjedhor do të mblidhen në 14 Dhjetor për të votuar për presidentin. Fituesi duhet të marrë të paktën 270 nga 538 votat e përgjithshme të Kolegjit Zgjedhor.

Votat elektorale të secilit shtet zakonisht i shkojnë fituesit të votës popullore të shtetit. Disa shtete lejojnë zgjedhësit të votojnë për këdo që ata zgjedhin, por më shumë se gjysma e shteteve i lidhin zgjedhësit të hedhin votat e tyre për fituesin.

Shumica e ligjeve të shteteve që lidhin zgjedhësit nuk parashikojnë se çfarë ndodh nëse një kandidat vdes. Ligji i Miçiganit kërkon që zgjedhësit të votojnë për kandidatët fitues që u shfaqën në fletëvotim. Ligji i Indianës, në të kundërt, thotë se votat e zgjedhësve duhet t’i kalojnë zëvendësuesit të zgjedhur nga partia nëse kandidati i cili ka emrin në fletë ka vdekur.

Në rast të vdekjes së një kandidati, pala kundërshtare mund të kërkojë mendimin e gjykatës nëse mund të lejohet kalimi i votave të zgjedhësve tek zëvendësuesi.

Po nëse një fitues vdes pasi Kolegji Zgjedhor ka votuar, por para se Kongresi të ketë certifikuar votimin?

Pas votimit të Kolegjit Zgjedhor, Kongresi duhet të mblidhet më 6 janar për të çertifikuar rezultatet. Nëse një kandidat presidencial fiton shumicën e votave elektorale dhe më pas vdes, nuk është plotësisht e qartë se si Kongresi do ta zgjidhte situatën.

Amendamenti i 20-të i Kushtetutës thotë se zëvendës presidenti i zgjedhur bëhet president nëse presidenti vdes para ditës së Inagurimit.

Por ka një çështje ligjore të hapur që lidhet me kohën se kur kandidati bëhet “president i zgjedhur”— pasi fiton votën e Kolegjit Zgjedhor, apo vetëm pasi Kongresi ka çertifikuar rezultatin e numërimit të votave.

Nëse Kongresi refuzon votat për një kandidat të vdekur dhe gjen se askush tjetër nuk ka fituar shumicën, i takon Dhomës së Përfaqësuesve të zgjedhin presidentin e ardhshëm, duke zgjedhur midis tre kandidatëve më të votuar.

Secili delegacion shtetëror merr një votë, që do të thotë se edhe pse demokratët kanë shumicën, republikanët kontrollojnë delegacionet e shteteve, duke pasur 26 nga 50 shtete.

Të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të zgjidhen në nëntor, kështu që përbërja e Kongresit të ardhshëm është ende e panjohur.

Asnjë kandidat fitues nuk ka vdekur kurrë pas zgjedhjeve, por para inaugurimit. Në 1872, kandidati Horace Greeley vdiq më 29 nëntor, disa javë pasi humbi zgjedhjet ndaj Ulysses Grant. 66 votat elektorale që Greeley fitoi përfunduan kryesisht të ndara midis zëvendësit të tij dhe kandidatëve të tjerë të vegjël.

Çfarë ndodh nëse një president i zgjedhur vdes ose bëhet i paaftë për të vepruar, pasi Kongresi ka çertifikuar  rezultatin?

Sipas Kushtetutës së SHBA-ve, një president i zgjedhur betohet në 20 janar, Dita e Inagurimit, dy javë pasi Kongresi çertifikon rezultatin. Nëse presidenti i zgjedhur vdes, zëvendës presidenti i zgjedhur prej tij do të betohet në 20 janar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>