Me shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, ligji përcakton se qytetarët e Vorës do duhet të zgjedhin kryebashkiaku e ri të tyre. Kushtetuta përcakton se me shkarkimin e kryebashkiakut Presidenti duhet të vendosë një datë për zgjedhjet vendore. Konkretisht neni 115 përcakton:
“Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit (ndaj vendimit të shkarkimit) brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.”
Zoti Kajmaku u shkarkua ditën e premte nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për fshehje të së shkuarës kriminale në formularin e dekriminalizimit. Kryebashkiaku socialist rezultoi se nuk kishte deklaruar arrestimin dhe hetimin në Greqi për përdorim parash të falsifikuar. Ai kishte pasur edhe identitet tjetër, Jorgo Toto. Sipas ligjit të dekriminalizimit, kush gënjen në formularin e dekriminalizimit shkarkohet nga funksioni publik dhe dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Neni 61 i ligjit Për Qeverisjen Vendore parashikon se një nga rastet kur mandati i kryetarit të bashkisë mbaron para kohe, është kur ai shkarkohet nga detyra:
” 1. Mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari:
… ç) shkarkohet”
Me mbarimin e mandatit para kohe të kryebashkiakut Kajmaku, ligji përcakton se vendin e tij do e zërë zëvendëskryetari i tij. Në rast se kryetari i bashkisë ka disa zëvendëskryetar, këshilli bashkiak vendos me shumicën e votave për zëvendëskryetarin që do ushtrojë funksionet e kryebashkiakut deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.”
Megjithatë zgjedhjet e 30 qershorit kanë sjellë një situatë juridike të pazakontë dhe të panjohur. Presidenti Meta nxorri dekret për anullimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit ndërkohë që shumica socialiste refuzoi të zbatonte këtë dekret duke vazhduar me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Tashmë do jetë Presidenti ai që do të vendosë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Vorë, vendim i cili do përcaktojë edhe fatin e zgjedhjeve 30 qershorit. Pavarësisht vendimit të Presidentit Meta lidhur me zgjedhjet në Vorë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë, bashkia e Vorës do të drejtohet sërish nga një socialist.