Çfarë u ofrua dhe nuk u dakordësua në negociatat Rama-Basha — Exit Shpjegon

Çfarë u ofrua dhe nuk u dakordësua në negociatat Rama-Basha — Exit Shpjegon

Takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha në zyrën e Presidentit ka përfunduar pa një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Kjo është përpjekja e dytë ndërmjetësuese brenda 10 ditëve të fundit.

Një javë më parë në Tiranë erdhën dy negociatorë të Partisë Popullore Europiane pjesë e të cilës është Partia Demokratike, eurodeputetët David McAllister dhe Knut Fleckenstein.

Propozimi që ata u bënë palëve përmbante tre pika thelbësore:

  • Shtyrja e zgjedhjeve për në 16 korrik;
  • Zëvëndësimi i katër ministrave te kabinetit Rama me persona teknik të propozuar nga Kryeminsitri Rama dhe të miratuar nga opozita;
  • Emërimi i kryetarit të KQZ me propozim të opozitës dhe zgjedhja me konsensus e Presidentit dhe e Avokatit të Popullit.

Këto propozime dhe pranimi i tyre prej tij u pohuan nga Edi Rama, më 27 Prill, nga foltorja e Kuvendit:

“Ne provuam me fakte se ç’ka kemi thënë në mënyrë të përsëritur, që jemi gati për dialog pa kushte, është e sinqertë dhe e vërtetë. Kemi pritur me krahë hapur të dërguarin e EPP McAllister, së bashku me eurodeputetin Fleckenstein dhe kemi pranuar brenda pak sekondash platformën e kompromisit të propozuar prej tyre.”

Por propozimi nuk u pranua nga kryetari i opozitës Basha, i cili gjatë negociatave bëri një lëshim në lidhje me kushtin e pandryshuar të qeverisë teknike: kryeministrin e qeverisë teknike mund ta emëronte vetë Rama, me pëlqimin e opozitës.

Takimi i 3 majit, i ndërmjetësuar nga Presidenti Nishani, erdhi pas një video konference të grupit parlamentar të Partisë Demorkatike me Presidentin e PPE-së Joseph Daul dhe Zëvendëspresidentin e PPE-së dhe njëkohësisht komisioner europian për zgjerimin Johannes Hahn, gjatë të cilit Lulzim Basha premtoi se do të “eksploronte çdo mundësi” për të arritur një kompromis.

Takimi në presidencë zgjati rreth tre orë, por pa arritur asnjë dakordësi.

Pas një takimi të mëvonshëm me ambasadorët Vlahutin dhe Lu, Kryeministri Rama zbuloi propozimin që kishte bërë në takimin në Presidencë:

“Unë kam propozuar atë që besoj adreson problemet objektive, pra një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukturave të shtetit, të policisë, të drejtorisë arsimore rajonale dhe gjithë sistemit tonë arsimor, të sistemit të burgjeve ku janë edhe pikat që janë adresuar si problematika në raportin e mëparshëm të ODIHR dhe një rregullore e dakordësuar për mënyrën se si të shmanget përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë dhe një kategori e caktuar aktivitetesh qeveritare që nuk duhen përdorur në fushatë.”

Kryeministri nuk sqaroi se çfarë nënkuptonte “monitorimi” dhe si mund të kryhej monitorimi.

Në mbrëmje, Lulzim Basha konfirmoi se ky propozim monitorimi ishte i vetmi propozim i Edi Ramës i cili në fakt nuk i kishte qendruar më as ofertës së mëparshme që kishte pranuar nga negociatorët evropianë, pra lëshimin e disa posteve ministrore për figura teknike dhe kalimin e kryetarit të KQZ-së opozitës:

Ofrova në tavolinë gjithçka që Partia Demokratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje. Fatkeqësisht, pala tjetër u tërhoq edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se duhet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë.

Si Kryeministri Rama edhe Kryetari i PD Basha në deklarimet e mbrëmjes, pavarësisht gjuhës fajësuese dhe në dukje moslëshuese, përmendën kalimthi se janë të hapur për të diskutuar përsëri për gjetjen e një zgjidhjeje. Megjithatë, mundësia për një kompromis tashëm duket e vogël.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>