Dy nga organizatat ndërkombëtare më të njohura të mediave kanë dënuar njëzëri padinë e ngritur nga Kryeministri Edi Rama ndaj gazetarit gjerman Peter Tiede, i cili denoncoi në gazetën Bild lidhjet e qeverisë me krimin dhe blerjen e votave.
Tiede ishte ai që botoi në gazetën gjermane artikujt që bënin fjalë për përgjimet dala nga dosjet 339 dhe 184 të Prokurorisë. Në to dëgjoheshin zyrtarë socialistë teksa diskutonin për të blerë vota në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 2017. Në artikujt e Tiedes tregohej gjithashtu edhe për lidhjet e socialistëve me kriminelët dhe përdorimi i parave të bandave për të blerë votat.
Pas publikimeve të një totali prej 31 përgjimesh, Rama njoftoi se kishte angazhuar avokatin Matthias Prinz për ta paditur Tieden për shpifje. Por Prinz paguhet minimumi 750 euro në orë, dhe Rama, që fiton 1400 euro në muaj, nuk e ka bërë të qartë se në çfarë forme do ta përballojë këtë shërbim të kushtueshëm ligjor.
Gjithashtu të panjohura janë dhe arsyet ligjore mbi të cilat bazohet padia e Ramës ndaj Tiedes, duke qenë se ai e ka pranuar se zëri në përgjime është i tiji.
Pas këtyre zhvillimeve Qendra Evropiane për Lirinë e Medias e Shtypit, dhe Reporterët pa Kufij i kanë rikujtuar në një deklaratë të përbashkët Kryeministrit Rama se ai “duhet të respektojë lirinë e medias”. Duke dënuar veprimin e tij, ata u shprehën se “Bild i ka provuar raportimet përmes regjistrimeve telefonike”.
Drejtuesi i organizatës së Reporterëve pa Kufij, Christian Mihr e kritikoi Ramën duke thënë se ai “ka një kuptim të çuditshëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
Mihr shtoi se “është detyrë e mediave të kërkojnë llogari ndaj pushtetit” dhe se në rastin e Bild, “ata u mbuluan në mënyrë korrekte me hulumtime dhe verifikime të burimeve” veprime që sipas tij “janë themelet e një shtypi të lirë dhe vlerave të Bashkimit Evropian”.
Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Medias dhe Mediave, e cila gjithashtu u takua me Ramën javën e shkuar në Tiranë, shtoi se “në vend që të bëjë padi ndaj gazetarëve, Kryeministri duhet të punojë për të përmirësuar lirinë e medias dhe të ndalojë së përshkruari gazetarët si kazanë”.
Javën e shkuar një delegacion i organizatave më të vlerësuara të lirisë së mediave në botë vizitoi Tiranën për t’u takuar me gazetarët, anëtarët e shoqërisë civile, politikanët dhe vetë Kryeministrin Rama. Ata vunë në dukje se “situata e lirisë së shtypit në Shqipëri është përkeqësuar” dhe se gazetarët janë sulmuar pa asnjë arsye. Ata gjithashtu theksuan faktin se politikanët fyejnë dhe shpifin rregullisht ndaj mediave dhe se Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë “jo transparentë dhe refuzojnë të qasen nga mediat kritike”.
Gjatë vizitës së tyre, Rama qe zotuar se nuk do të niste padi penale kundër gazetarëve, por “në rrethana ekstreme” padi civile.
Deklarata e organizatave të mediave përmendi gjithashtu krizën e vazhdueshme politike dhe faktin se “mijëra njerëz në Shqipëri po mbajnë në rrugë javë me radhë për të protestuar kundër qeverisë së korruptuar”. “Protestat” – thuhet në deklaratë, “u nxitën nga përgjimet e publikuara që u regjistruan nga prokuroria në 2016 dhe 2017”.