Edi Rama, 16 dhjetor, takim me mësues nga i gjithë vendi:
“Dua të ndaj me ju shqetësimin për kulturën e kriminalizimit të njerëzve, të ideve, të vendimeve, të punëve, që në këtë vend identifikohen të gjitha së bashku me tjetrin dhe kur tjetri nuk na pëlqen, e sulmojmë me gjithsej, për të asgjësuar me çdo kusht idetë e tij, vendimet e tij, punën e tij. Unë nuk e kam vënë re sot këtë fenomen. Politika e ka krijuar këtë fenomen prej shumë kohësh dhe duke qenë brenda saj, është më e lehtë ta shohësh dhe ta ndiesh përditë. Por vërej me shqetësim të madh se sot, ky fenomen i ka prekur që të gjithë ata që kanë një zë dhe po godet përditë, përmes çdo zëri, veshët, mendjet, zemrat e gjithkujt që jeton në këtë vend, madje edhe të të huajve që gjenden në këtë vend.”
Linda Rama, 18 dhjetor, darkë me gra të medias:
“Kam filluar të besoj se i gjithë humori i ditës së njerëzve në kafenenë e vogël tek rruga e punës time, ku pi prej 15 vitesh me të njëjtët miq kafenë time të mëngjesit, do të përcaktohet nga fakti se si janë gdhirë ata që sot janë të kudondodhur nëpër studio, blogje, gazeta. Të cilët edhe kur nuk janë aty, mjafton të teshtijnë në profilin e tyre, dhe fap, shfaqen kudo ku është e mundur të na shfaqet lajmi që duan të na japin apo mendimi dhe përjetimi që duan të na tregojnë: jo vetëm në televizor, por edhe në tavolinë, në çantë, në xhep, përmes telefonit që lajmëron se dikush erdhi pa pyetur, drejt e në jetën tënde. Ma thoni ju nëse e mendojnë gjatë apo shkurt, efektin që fjala ka në mendjet apo botën emocionale të atyre që e dëgjojnë. Por përshtypja ime është se e vetmja gjë që me siguri mendojnë, është që fjala e lëshuar të bëjë sa më shumë efekt negativ tek ne, në raport me dikë, apo me disa të tjerë.”