Teksa qeveritë në gjithë botën kanë izoluar miliona qytetarë, mësimi, mbledhjet e punës e deri tek mbledhjet e kabineteve qeveritare po zhvillohen online përmes programit Zoom.
Zoom, i cili lejon video biseda me deri në 99 njerëz në të njëjtën kohë, është kthyer në programin më të përdorur javët e fundit. Kompania nuk ka njoftuar shifra të përditshme të shkarkimeve, por firma e ndjekjes së aplikacioneve Apptopia tha se Zoom ishte shkarkuar 2.13 milion herë në të gjithë botën më 23 mars, ditën kur u njoftuan masat e izolimit në Mbretërinë e Bashkuar – nga 56 mijë herë në ditë që ishte shkarkuar dy muaj më parë.
Aplikacioni po përdoret tani për të zhvilluar klasat online, mbledhjet e stafeve, takime biznesi, takime qeverie, shërbime kishtare, dasma dhe festa të tjera online.
Zoom ofron një version falas për biseda që zgjasin më pak se 40 minuta, por miliona kompani janë abonuar për variantin e plotë të aplikacionit, ku mund të flasin pa limit për vetëm 15,99 paund në muaj.
Kompania raportoi një rritje prej 85% të të ardhurave në 166.6 milion dollarë (132 milion) në tre muaj deri në fund të tetorit, shifrat e fundit tremujore në dispozicion, por nuk dihet ende se sa janë shumëfishuar të ardhurat pas përhapjes së Covid-19.
Rritja e popullaritetit të fundit të Zoom nuk ka kaluar pa u vënë re nga investitorët. Vlera e një aksioni të vetëm të kompanisë është rritur nga 70 dollarë në 150 dollarë më 30 mars.
Kjo i jep kompanisë një vlerë tregu prej 42 bilion dollarësh – më shumë se tetë herë se vlera totale e kompanisë British Airways.