Samiti i Sofjes ku do të takohen përfaqësuesit e vendeve të BE-së me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor rrezikon të dështojë. Mosmarrëveshjet e krijuara ndërmjet vendeve të BE-së për përmbajtjen e strategjisë mbi integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesëmarrja e Kosovës rrezikojnë të prishin takimin në Sofje më 17 maj 2018.
Pavarësisht se Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë Ekaterina Zaharieva u shpreh në një deklaratë për shtyp se takimi nuk ka të bëjë me zgjerimin e BE-së, vendet si Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania nuk janë dakord me nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Spanja, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosvës, nuk ka pranuar edne të marrë pjesë në Samitin ku Kosova konsiderohet shtet i pavarur. Më 3 prill, Ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva, në një deklaratë për median tha se midis shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, vetëm kryeministri spanjoll Mariano Rajoy nuk ka konfirmuar ende pjesëmarrjen e tij në samit.
Përfaqësuesit e Kosovës kanë marrë pjesë dhe më herët në takime të ngjashme, por duket se aspiratat e Katalonjës për autonomi brenda Spanjës ka bërë që të vihet në diskutim pjesëmarrja e kryeministrit spanjoll në samit.
Ky fakt po bën të vështirë hartimin e një strategjie përfundimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë samitit të Sofjes nuk do të ketë vendimmarrje lidhur me hapjen e negociatave apo pranimin e ndonjë shteti në BE. Aty thjesht do të miratohen konkluzionet që shtetet e BE-së kanë diskutuar në samitin e 22-23 marsit në Bruskel, lidhur me strategjinë që do të ndiqet në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Takimi i shteteve anëtare të BE-së dhe gjashtë vendeve — Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – është parashikuar të jetë aktiviteti më i rëndësishëm i presidencës bullgare të Këshillit të BE-së. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve takimi duhet të zhvillohet më 17 maj, në Sofje.
Drafti i parë i asaj që si fillim është quajtur “Deklarata e Samitit të Sofjes”, hartuar nga shtetet anëtare të BE, u debatua nga ambasadorët e BE për herë të parë në fund të marsit.