Miratimi i vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 ka rritur shpresat se “normalja e re” e një bote post-pandemike do të fillojë të shfaqet në vitin 2021.
Por, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se shoqëria civile duhet të kthehet në rolin e saj “normal” të para-pandemisë, për të parandaluar zgjerimin e përhershëm të pushteteve mbizotëruese.
Transparency International, prej kohësh, ka paralajmëruar për rritje të autoritarizmit dhe dobësim të sundimit të ligjit në disa vende.
“Korrupsioni lulëzon kur institucionet demokratike, si shtypi i lirë dhe gjyqësori i pavarur, minohen; kur e drejta e qytetarëve për të protestuar, për t’u bashkuar me shoqata ose për t’u përfshirë në iniciativa, kufizohet”, ka thënë grupi global anti-korrupsion.
Shadi Hamid, ekspert i politikës së jashtme të Lindjes së Mesme në Institutin Brookings në Uashington, thotë se autoritarizmi në teori dhe regjimet autoritare në praktikë kanë qenë duke fituar terren edhe përpara pandemisë.
Hamid thotë se disa aspekte të epokës post-pandemike – të tilla si skemat e gjurmimit të COVID-it dhe mbikëqyrja e shtuar – mund të krijojnë “joshje autoritare” tek ata që janë në krye të qeverive.
“Gjatë dhe pas pandemisë, qeveritë ka të ngjarë t’i përdorin krizat e zgjatura për të minuar opozitën e brendshme dhe për të kufizuar liritë civile”, shkruan Hamid në një raport të Institutit Brookings, të quajtur Rihapja e Botës.
Por, përkundër këtyre rreziqeve, Hamid ka optimizëm të matur se liritë politike do të rimëkëmben në botën post-pandemike.
Ai thotë se heqja e kufizimeve të emergjencës do t’i ndihmojë “partitë politike, protestuesit dhe lëvizjet, që t’i komunikojnë platformat dhe ankesat e tyre para audiencave më të mëdha”.
“Qeveritë demokratike mund të bëjnë përpjekje të shtypin informacionin dhe t’i rrotullojnë ose minimizojnë krizat gjithashtu – siç ka bërë administrata [e presidentit amerikan, Donald] Trump – por ato rrallë ia mbathin me të”, thotë Hamid.
Në vendet nga Rusia deri te Turkmenistani, tendencat autoritare nën maskën e kontrollit pandemik kanë përfshirë përdorimin e masave emergjente për të goditur figurat politike të opozitës dhe për të kufizuar lirinë e shtypit.
Ato gjithashtu kanë përfshirë përpjekjet e autoriteteve për të kufizuar aftësinë e organizatave civile, për të kontrolluar dhe kufizuar zgjerimin e pushtetit ekzekutiv.
Shtypja në Baku
Veprimet e ndërmarra nga Qeveria e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, janë një rast i tillë.
Në mars, Bakuja ka vendosur dënime të ashpra për ata që gjenden fajtorë për “shkelje të rregullave anti-epidemike, sanitare-higjienike ose të atyre të izolimit”.
Ligji parasheh gjobë prej rreth 3,000 dollarësh deri në tre vjet burgim, për shkelje të tilla si mosmbajtja e maskës në publik.
Ata që dënohen për përhapjen e virusit, përballen me pesë vjet burgim.
Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka thënë se ndëshkimet e Bakusë për përhapjen e COVID-it nuk janë “përgjigje legjitime ose proporcionale ndaj kërcënimit që paraqet virusi”.
Grupi me bazë në SHBA ka thënë se është shumë lehtë që ligjet e tilla të keqpërdoren “për të shënjestruar popullata të margjinalizuara, pakica ose disidentë”.
Gjatë verës, Aliyev gjithashtu është përballur me pakënaqësinë e publikut ndaj korrupsionit të shfrenuar, keqmenaxhimit ekonomik dhe trajtimit të pandemisë.
Aliyev ka nisur një represion të gjerë në korrik, i cili gjerësisht është parë si përpjekje për të eliminuar rivalët e tij politikë dhe aktivistët e demokracisë.
Më shumë se 120 figura dhe mbështetës të opozitës janë arrestuar në korrik nga forcat e sigurisë.
Në mesin e të arrestuarve, dy figura të opozitës, Mehdi Ibrahimov dhe Mahammad Imanli, janë akuzuar për shkelje të masave emergjente shëndetësore në Azerbajxhan.
Kufijtë bjellorusë
Kritikët e akuzojnë sundimtarin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për përdorimin e kufizimeve pandemike, për shtypjen e demonstratave masive kundër regjimit të tij.
Përdorimi i këtyre masave shihet vetëm si një mjet në strategjinë e gjerë të Minskut kundër protestuesve.
Në muajin dhjetor, grupi i të drejtave Vyasna ka thënë se mbi 900 raste penale, të motivuara politikisht, janë hapur në vitin 2020, kundër kandidatëve të opozitës bjelloruse dhe ekipeve të tyre.
Demonstratat e vazhdueshme përbëjnë kërcënimin më të madh për sundimin 26-vjeçar të Lukashenkës. Demonstratat kanë nisur qysh pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, pas të cilave Lukashenka është shpallur fitues. Sipas opozitës, zgjedhjet janë manipuluar.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë.