Policia e shtetit bëri sot publike detaje nga arrestimi i Henri Çilit, pronarit të UET-së, dhe sqaroi akuzat që rëndojnë mbi të për përfshirje në një skemë korrupsioni që synonte të lehtësonte dënimin për një të dënuar përjetë dhe një të dënuar me 20 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu sqaroi se akuzat ndaj Henri Çilit janë:
- Fshehja e të ardhurave;
- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
- Falsifikimi i dokumenteve;
- Mashtrim;
- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
- Falsifikimi dokumenteve.
Sipas informacioneve të deritanishme, Henri Çili, në bashkëpunim me të tjerët, dyshohet se i kishte premtuar dy prej të dënuarve të çështjes Lazarati, Arbion Alikos dhe vëllait të tij Alban, se do të ndërhyjë tek gjyqtari për të lehtësuar dënimin, në këmbim të parave e pronave.
Prokuroria e Përmetit, e cila ka nisur hetimet në shtator 2019, ka hasur në biseda telefonike mes babait të dy të dënuarve Adil Aliko dhe Henri Çilit e Ilir Korbit, ku këta të fundit i premtonin lehtësim të dënimit për djemtë, në këmbim të një toke në Gjirokastër, apartamente dhe shuma të konsiderueshme parash.
Të arrestuar, gjithashtu, janë shoferi i Henri Çilit, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga policia; juristi Ilir Korbi që punonte si pedagog dhe drejtor juridik në universitetin e Çilit; sipërmarrësi i ndërtimit Sait Fishta, i cili ka qenë kandidat për deputet në të shkuarën dhe është hetuar për ndërtime të paligjshme në Velipojë; noterja Shpresa Gjocaj, e cila ka noterizuar kontratat e dhurimit të tokës nga Aliko tek Çili.
Arbion Aliko u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Alban Aliko u dënua me 20 vite burg me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në mars 2018.
Vëllezërit Aliko, bashkë me një grup bashkëpunëtorësh të njohur si ‘grupi i zjarrit’, u shpallën fajtorë për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha dhe plagosjen e efektivëve Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.