Danimarka do të mbyllet gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, ka njoftuar kryeministrja Mette Frederiksen.
Qendrat tregtare do të mbyllen duke filluar nga nesër dhe dyqanet e tjera, me përjashtim të supermarketeve dhe dyqaneve të ushqimit, do të mbyllen duke nisur nga 25 Dhjetori.
Studentët që vijojnë ende mësimin në shkolla do të dërgohen në shtëpi që nga e hëna.
Kryeministrja tha se ky vendim duhej marrë tani sepse sistemi shëndetësor i vendit ndodhet nën presion.
Autoritetet daneze presin që muajt në vijim të jenë më të këqijtë e pandemisë, tha Frederiksen.
Danimarka njoftoi të mërkurën se gjatë 24 orëve të fundit ishin regjistruar 3.692 raste të reja me koronavirus, shifër rekord që prej fillimit të pandemisë.
Gjithashtu në spitale u shtruan edhe 54 pacientë me COVID-19 duke e çuar totalin në 493 në gjithë vendin.