Deputetët e shumicës socialiste dhe ata të opozitës parlamentare kanë debatuar, të hënën, në komisionin e ligjeve, për ndryshimin e pragut elektoral.
Fillimisht, opozita ka kërkuar që pragu elektoral të rritet nga 3 për qind që është aktualisht, në 5 për qind.
Kjo do të thotë se pragu minimal për të hyrë në parlament do jetë 5 përqind e votave të të gjithë atyre që kanë votuar.
Por sot, deputeti Korab Lita propozoi që ky prag të ulet në 2 për qind, pra jo vetëm më i ulët se propozimi fillestar i opozitës, por edhe më i ulët se pragu që është aktualisht.
Propozimi i tij u mbështet dhe nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.
Hajdari tha se ‘ulja e pragut do ishte më e drejtë dhe do të krijonte konkurrueshmëri’ dhe sqaroi se kjo kërkesë nuk ka ardhur nga grupi Demokrat ku ajo bën pjesë, por nga deputetë të tjerë.
Deputetja socialiste Klotilda Ferhati tha se pragu 2 për qind është i ulët dhe do të rriste numrin e partive në parlament, por e la të hapur debatin.
Për këtë arsye, komisioni do të rimblidhet në orën 18:00, ku pritet propozimi me shkrim dhe i argumentuar i deputetëve të opozitës për uljen e pragut në 2 për qind.
Siç Exit News ka sqaruar më parë, pragu 5 përqind, siç ka propozuar fillimisht opozita, është i lartë dhe do të penalizojë hyrjen e partive të vogla.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 2017-ës, vetëm 3 parti arritën të kalonin këtë prag, përkatësisht, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe LSI.