
Prokuroria Speciale në Kosovë ka njoftuar të mërkurën se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve me iniciale D.G, V.K, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ndaj të pandehurit Rr.S. për “privim të kundërligjshëm të lirisë”.
Sipas portalit Betimi për Drejtësi të pandehurit janë Driton Gashi, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Valon Krasniqi, drejtor në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare në Kosovë.
Driton Gashi ishte shkarkuar nga detyra e shefit të AKI-së në prill të vitit 2018, nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars të po atij viti.
Driton Gashi ka qenë së fundmi pjesë e kabinetit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.