Dekani i Drejtësisë i kërkon studentëve të lirojnë ambientet e fakultetit

Dekani i Drejtësisë i kërkon studentëve të lirojnë ambientet e fakultetit

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha i ka kërkuar studentëve të ngujuar të lirojnë ambientet e fakultetit dhe t’i rikthehen mësimit normal.

Me anë të një letre ku dekanati i kthen përgjigje kërkesave të studentëve, dekani i FDUT-së, Artan Hoxha shprehet:

“Dekanati i FDUT-së shpreh shqetësimin për anomalinë e krijuar për zhvillimin e procesit mësimor dhe ju kërkon studentëve që kanë bllokuar ambientet e fakultetit t’i lirojnë ato me qëllim që të vihen në dispozicion të procesit mësimor dhe të kthehet normaliteti në administrimin e ambjenteve që janë në shërbim të studentëve.”

Dekani Hoxha, po ashtu, justifikoi praninë e policëve në ambientet universitare si një “detyrim që lind nga kontrata që Universiteti i Tiranës ka për ruajtjen e ambjenteve të tij.”

Prej dy ditësh, studentët kanë denoncuar vazhdimisht praninë e policëve dhe presionin e dhunën që ata kanë ushtruar ndaj studentëve të ngujuar.

Hyrja e policisë në mjediset universitare, pa kërkesën dhe lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë, siç kemi shpjeguar më parë, është shkelje e ligjit.

Kërkesat e tjera të studentëve që dekanati i FDUT-së ka marrë përsipër të plotësojë janë:

-Marrja e masava për zëvendësimin e orëve mësimore të pa realizuara për shkak të protestës së studentëve;

-Shtyrja e afatit të pagimit të tarifave dhe procedurave për marrjen e bursave;

-Ngritja e një grupi punë gjithëpërfshrës për realizimin e një plani veprimi tërësor për përmirësimin e fakultetit;

-Mospenalizimi i studentëve pjesëmarrës në protestë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>