Deklaratat kryesore të Ramës, Vuçiçit, Zaevit e Gjukanoviçit pas samitit të mini-Shengenit

Nga Redaksia
Deklaratat kryesore të Ramës, Vuçiçit, Zaevit e Gjukanoviçit pas samitit të mini-Shengenit

Mbaroi sot në mesditë takimi i tretë i liderëve të Ballkanit për mini-Shengenin.

Exit News sjell më poshtë disa prej deklaratave kryesore të Ramës, Vuçiçit, Zaevit e Gjukanoviçit në përfundim të takimit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndër të tjera, kritikoi vendimin e Kosovës për të mos marrë pjesë në këtë samit:

“Kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet askush dhe nuk imponohet nga askush.

Refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën.

Jemi këtu për të ndërtuar urën midis të shkuarës dhe të ardhmes; i një të shkuare që na ndan dhe i një të ardhme që na bashkon.

Sot me këtë nismë ne po themi të hapim të tërë kufijtë dhe nuk ka asnjë kusht dhe asnjë lloj klauzole përjashtuese për asnjë nga marrëveshjet që ne biem dakord. Çfarë fiton Kosova duke mos ardhur, ndërkohë që askush nuk thotë që kjo nuk duhet bërë me Kosovën, përkundrazi?!

Kosova nuk ka nevojë për izolim, nuk ka nevojë për vetëpërjashtim, nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush është më refuzues ndaj proceseve të integrimit dhe gjithëpërfshirjes dhe mbi të gjitha nuk ka nevojë të bëjë të pakënaqur dhe ata që e mbështetën pa kushte në ditët më të vështira. 

Nëse Kosova ka nevojë sot për respekt, për integrim, për zhvillim ekonomik, kjo është rruga. 

Duhet të bashkojmë forcat për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të krijuar standardet që i përgjigjen BE, liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.”

Presidenti serb Vuçiç foli për disa nga vendimet e marra sot:

“Diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimi të marrëveshjeve tona.

Njësitë tona të emergjencës do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen, në mënyrë që kur një tragjedi të godasë ndonjëherë njërin nga vendet tona, të njëjtat forca do të jenë në vendin përkatës në të njëjtën kohë.

Ne do vijojmë të ndërtojmë jo vetëm inspektimet tona, shërbime 24 orë në dogana, më shumë lehtësira në pikat kufitare. Kamionët të mos rrinë më shumë se 6 orë në kufi, pra të përpiqemi të zbatojmë marrëveshjen e operatorëve të autorizuar. Kjo do të ulë kostot operative dhe do përmirësojë standardet e njerëzve tanë.

Për ata që e quajnë minishengen, ne do të përpiqemi të krijojmë një treg të përbashkët pune, që nënkupton një nivel më të lartë tërheqjeje për investitorët e huaj. Do jetë e mundur që ata thjesht të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni.

Një propozim do të jetë përafrimi i shumë rregulloreve, në mënyrë që të bëjnë një treg unik.”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev foli për bashkimin doganor:

“Ndoshta në Beograd në fillim të shkurtit do të nënshkruajmë Protokollin e Bashkëpunimit dhe të ndërhyrjes së shpejtë për rastet e fatkeqësive natyrore. 

Pikat kufitare do të shndërrohen me një ndalesë në të ardhmen, por më pas nuk do të kenë asnjë. Në shkurt nënshkruajmë marrëveshjen për lëvizjen e lirë vetëm me karta identiteti brenda Shengenit Ballkanik si dhe përshpejtim të procedurave brenda tregut, vetëm një procedurë për dhënien e vizave për punë.

E kemi për detyrë të punojmë për qytetarët, për ekonomitë tona, me qëllim që të sjellim sa më shpejt standarde. Presim që vendet anëtare të BE ta njohin këtë.”

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tha se vendet e Ballkanit vazhdojnë të kënë si synim integrimin në BE:

“Ne dëshirojmë të jemi anëtarë të BE dhe kemi punuar fort për këtë, prandaj nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë drejtimin strategjik tani.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>