Ajo që nisi si një koment arrogant të Kryeministrit Rama në përpjekje për të shuar protestat e studentëve gjatë një emision propagandistik të kuruar në imtësi, tashmë ka ndezur prozhektorët mbi vilën e tij private në Surel. Shkëmbimi, sipas raportimit në media, nisi kur Kryeministri Rama pyeti një student për madhësinë e telefonit iPhone që mbante në dorë, ndoshta në një përpjekje për të treguar se studenti që kërkon përgjysmimin e tarifës së studimit shpenzon për mallra luksoze. Studenti i ktheu menjëherë përgjigje Kryeministrit: “Meqë më pyete, a mundem unë të të pyes, kot për kuriozitet, për shtëpinë tuaj në Surrel? Unë e justifikoj telefonin tim, por ju si e justifikoni shtëpinë në Surrel kur keni deklaruar vetëm dy mijë euro kursime”?
Komenti i studentit ka ndezur, ditët e fundit, një sulm të opozitës ndaj Kryeministrit për burimin e parave me të cilat ai ka ndërtuar vilën e tij në vitin 2012. Javën e shkuar, gjatë një emisioni humoristik të drejtuar nga loloja i oborrit Ermal Mamaqi, Rama u përpoq me një fytyrë të ngrirosur ta shfrynte skandalin duke u shprehur se në të vërtetë ai jetonte në një shtëpi shumë të thjeshtë. Madje ai i kishte dhënë Mamaqit fotografi të vilës së tij të rrëmujshme, të cilat Mamaqi u shtir sikur i kishte bërë në mënyrë “sekrete”, vetëm për të minimizuar domethënien e tyre. Edhe me standardin tmerrësisht të ulët të Mamaqit (më duhet të them: një herë kam kaluar 5 orë me Mamaqin në makinë duke udhëtuar nga Shkupi në Tiranë) ishte një shfaqje tejet e turpshme.
Në këtë dalje, Rama pretendoi se i gjithë projekti i vilës u mundësua prej Linda Ramës.
Vërtet duket se është e vërtete se, të paktën në letër, është ajo që bleu tokën në të cilën është ndërtuar vila. Por Rama nuk mundi dot të japë as të dhënën më të vogël se nga erdhën paratë për ndërtimin e vilës.
Sipas ligjit, të gjithë personat që mbajnë poste zyrtare duhet të plotësojnë deklaratën e pasurisë, të cilat janë publike. Mbështetur në deklarimet e Ramës nga viti 2003 deri tani dhe të Linda Ramës nga viti 2011 (ata u martuan në vitin 2010), Exit.al ka ndërtuar grafikun e mëposhtëm.
Sikurse shihet qartë në grafik, ka një ndryshim të madh mes deklarimeve të Edi dhe Linda Ramës në vitin 2011, kur ai u largua nga kryebashkiak i Tiranës, dhe atyre të vitit 2013, kur ai mori mandatin e parë si Kryeministër.
Kjo rritje mund të jetë e shpjegueshme deri në një farë pikë.
Në vitin 2003, Rama deklaroi se zotëronte një apartament të trashëguar nga i jati me sipërfaqe 59 metra katrorë, me vlerë rreth 15 mijë euro. Kjo vlerë nuk është ndryshuar deri në vitin 2012, kur apartamenti u rivlerësua zyrtarisht në 5 milionë lekë, rreth 48 mijë euro.
Gjithashtu, duket se Linda Rama nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet e deklarimit të pasurisë në vitin 2011, sepse në të nuk përmendet toka ku është ndërtuar vila, edhe pse ajo deklaron të ardhura nga qiradhënia e një apartamentit në qendër të Tiranës.
Kjo mungesë është korrigjuar në deklaratën e vitit 2013, në të cilën ajo ka deklaruar në pronësi apartamentin si dhe dy parcela tokë në Surrel: parcela e parë me sipërfaqe 2 528 metra katrorë, e blerë për 1 086 650 lekë (rreth 8 mijë euro), më 13 tetor 2005, dhe parcela e dytë me sipërfaqe 1,995 metra katrorë, e blerë për 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro) më 14 korrik 2008.
Këtij trualli, më vonë Linda Rama i ka shtuar edhe një parcelë me sipërfaqe 886,5 metra katrorë, të blerë për 400 mijë lekë (rreth 3 mijë euro) më 6 shkurt 2015 dhe një parcelë ullishte me sipërfaqe 2240 metra katrorë, të blerë në 2017, për 6 930 000 lekë ose 52 mijë euro, e cila duket se është paguar më së shumti nga paratë e shitjes së apartamentit të vjetër të Edi Ramës, po atë vit.
Çështja kryesore, sidoqoftë, është vlera e ndërtimit të kryer mbi tokën e blerë nga Linda Rama në Surrel.
Në deklarimin e pasurisë të Linda dhe Edi Ramës të vitit 2013 e më pas, është vila e Surrelit e vlerësuar me vlerë 39 607 741 lekë ose rreth 283 mijë euro (me kursin e përafërt të këmbimit të vitit 2013).
Deklarata përmban, gjithashtu, edhe një shumë prej 12 056 241 lekë (rreth 86 mijë euro) detyrim ndaj kompanisë së ndërtimit, për të cilën Edi Rama ka marrë një kredi prej 80 mijë euro nga banka Intesa San Paolo më 22 tetor 2013.
Pyetja, që po shtron në mënyrë të përsëritur opozita, është: nga kanë ardhur 200 mijë eurot e tjera?
Asnjë nga deklaratat e pasurisë së Edi Ramës prej vitit 2003 apo të Linda Ramës nga viti 2011 nuk tregojnë një shumë të tillë parash në llogaritë bankare të tyre. Kjo do të thotë se të paktën njëri ose të dy bashkë kanë gënjyer në deklaratat e pasurisë.
Megjithatë, deklarimet e tyre të pasurisë nuk janë i vetmi problem. Vila e Surrelit u projektua nga firma belge e arkitekturës 51N4E, e cila nuk ka marrë asnjëherë publikisht në faqen e saj zyrtare meritën për këtë gjë, ndonëse ajo është përfshirë në një nga katalogët e saj.
Në këtë botim, vila është përshkruar në mënyrë keqinformuese si “vila e malit” në Armos, Greqi. Sidoqoftë, skicimi topografik përputhet në mënyrë perfekte me vendndodhjen e vilës së Ramës.
Projekti me sipërfaqë 565 metra katrorë është shënuar si punë e vitit 2008, çfarë do të thotë se plani i vilës ka qenë gati katër vjet para se të ndërtohej dhe dy vjet përpara se Edi Rama të martohej me Linda Ramën.
Kjo do të thotë se blerja e tokës në Surrel në vitin 2008 nga Linda Rama është bërë për këtë qëllim. Do të thotë, githashtu, se data e ndërtimit të vilës është zgjedhur me kujdes: pikërisht në vitin 2012, vit në të cilin Edi Rama nuk kishte më detyrim për të bërë deklarim pasurie, pasi nuk ishte më kryebashkiak dhe as deputet.
Një nga themeluesit e firmës 51N4E, Peter Swinnen u pushua nga një post qeveritar në Belgjikë pasi u provua se ai ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni në Shqipëri, që lidhej me tenderin e projektimit të Sheshit Skënderbej, realizuar pikërisht nga 51N4E së bashku me Anri Salën—ndërtimi i sheshit nga kompania Fusha shpk dhe mbikqyrur nga 51N4E është një nga projektet më të korruptuar (dhe të kushtueshëm) në historinë e ndërtimeve infrastrukturore në Shqipëri.
51N4E u përfshi, gjithashtu, edhe në disa projekte të dashura për Kryeministrin Rama, përfshi kullën TID (sot hotel Plazza) dhe përkujtimoren për viktimat e 21 janarit (pa prokurim publik), mobilimin e brendshëm të Qendrës për Hapje dhe Dialog (pa marrë autorësinë dhe natyrisht pa prokurim publik), dhe në mënyrë të çuditshme, varrin e Dritan Hoxhës, pronarit të ndjerë të Top Channel.
Me fjalë të tjera, jo vetëm burimi i parave për ndërtimin e vilës është i dyshimtë, por edhe projektimi dhe ndërtimi janë i saj janë gjithashtu të dyshimta.
Duke mos treguar kompanitë e përfshira në projektimin dhe ndërtimin e vilës, Edi Rama ka shtuar dyshimet se vila ka qenë një “nder”, për të cilin këto kompani prisnin favore të tjera, pra projekte fitimprurëse projektimi e ndërtimi.
Vila private e Ramës është një ilustrim në miniaturë i asaj se çfarë ai po bën me hapësirat publike dhe fondet publike në Shqipëri: korrupsion, nepotizëm dhe fluks parash të pagjurmueshme.