Komisioni Qendror i Zgjedhjve vendosi sot t’i heqë mandatet dy deputetëve Aqif Rakipi (PDIU) dhe Gledion Rehovica (LSI), për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Kërkesa për heqjen e mandatëve ishte bërë nga prokuroria në ditët e fundit të dhjetorit. KQZ e miratoi kërkesën me pesë vota pro.
Dy deputetët kanë gënjyer për të shkuarën e tyre kriminale në formularët e vetëdeklarimit.
Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica akuzohen për vjedhje dhe identitete të rreme në Itali.
Nga informacionet e deritanishme, deputeti Rakipi në vitin 1998, ka vjedhur një dyqan nën emrin Skënder Ejylbegaj.
E njëjta akuzë është dhe për deputetin Rehovica: në vitit 1999, po në Itali, Rehovica ka kryer vjedhje nën emrin e rremë Kusta Mina.
Mandatin e Aqif Rakipit, i fituar në qarkun e Elbasanit pritet ta marrë Florenca Halili.
Ndërsa mandatin e Gledion Rehovicës, në qarkun e Beratit e përfiton Silva Caka.