Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sot shkarkimin nga detyra të kryebashkiakëve të Tepelënës, Tërmet Peçi dhe të Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Dy kryebashkiakët e majtë akuzohen se kanë fshehur dënimet në të shkuarën, në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimit.
Kryeprokurori Lalla deklaroi sot se për dy kryebashkiakët Peçi e Zotkaj ka nisur hetimi për falsifikim dokumentesh.
Tërmet Peçi, në vitin 2004, është shpallur fajtor nga Gjykata Tepelenë për veprën penale të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Vetë Zoti Peçi është shprehur se nuk ka pasur dijeni për këtë dënim, por në vendimin e gjykatës, shkruhet se Zoti Peçi ka pranuar fajësinë dhe është penduar për shkeljen.
Ndërsa Adriatik Zotkaj dyshohet për organizim të një grupi kriminal dhe për favorizim të trafikut të drogës. Ndërkohë, në formularin e vetëdeklarimit, Zoti Zotkaj ka shkruar se është dënuar tri herë:
- tre vite burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
- 10 muaj burg për kundërshtim të punonjësve të policisë;
- një vit burg, pa specifikuar veprën për të cilën është dënuar.