Demokracia e munguar e “ndërkombëtarëve” në Shqipëri

Nga Anna Aret
Demokracia e munguar e “ndërkombëtarëve” në Shqipëri

Sipas përcaktimit në fjalor, fjala demokraci është sistemi politik, forma e qeverisjes sipas të cilës sovraniteti rrjedh, vjen prej popullit. Kratia në greqishten e vjetër shpreh idenë e një pushteti, i cili e gjen burimin e tij prej vetvetes, e demo-kratia shpreh nocionin e sovranitetit të popullit.

Shoqëria shqiptare konsiderohet ende sot në tranzicion, por ky përcaktim nuk është i saktë pasi procesi i tranzicionit është një moment i ndryshimit të regjimit duke kaluar nga një sistem autoritar në një sistem demokratik nëpërmjet votimit të lirë e të hapur, konkurrencës mes partive politike dhe respektimit të drejtave civile. Termi ‘tranzicion’ si te ‘vend në tranzicion’ përdoret sistematikisht në Shqipëri për të ilustruar problemet në ndërtimin e një demokracie të shëndetshme. Demokracia politike karakterizohet ndër të tjera nga elementët e saj përbërës ndër të cilët mund të përmenden ekuilibri i nevojshëm institucional (checks and balances), respektimi i të drejtave të njeriut, liria, barazia etj.

Sipas nenit 2 të Traktatit të Bashkimit Europian, Bashkimi bazohet mbi disa vlera të cilat konsiderohen si thelbësore dhe që duhen respektuar prej të gjitha vendeve anëtare siҫ janë respekti i dinjitetit njerëzor, liria, demokracia, shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Këto vlera mbarten edhe brenda BE-së vetë në funksionimin e saj si një organizatë, të cilës vendet anëtare i kanë deleguar kompetenca sovraniteti, duke krijuar dhe veçantinë e kësaj organizate në kostelacionin e skenës ndërkombëtare, por, zbatohen edhe nga vendet anëtare dhe duhet të zbatohen dhe nga Shqipëria si një vend në proces aderimi për në Bashkimin Europian. Preambula e Kartës së Kombeve të Bashkuara thekson objektivin për të afirmuar besimin në të drejtat themeltare, në dinjitetin e njeriut, si dhe të drejtat e barabarta të grave e burrave, të kombeve të vogla e të mëdha.

Duke patur parasysh të gjithë këta elementë, kuptohet zhgënjimi i gjendur në vendin tim pas mbarimit të studimeve të mia jashtë në një nga shkollat më të mira europiane (sipas listave e renditjeve ndërkombëtare) dhe ballafaqimi me përfaqësitë e organizatave të ndryshme të huaja në vend.

Pa dashur të bëj një përgjithësim për të gjitha këto organizata dhe për procedurat e tyre të funksionimit, si dhe duke mos dashur të targetoj një organizatë apo një tjetër në mënyrë specifike, do të dëshiroja të ilustroja vetëm një përvojë personale. Mos-respektimi i procedurave të aplikimit, duke filluar nga moskthimi i  mesazhit korrespondues elektronik që konfirmon marrjen e aplikimit (siç është e parashikuar në thirrjen e hapur për pozicionin), intervistat e gjata pas së cilave vjen shprehja monotone “je teper i/e kualifikuar për këtë pozicion” e deri te mos kthimi i përgjigjes në raste të tjera, më futen në mendime të thella se pse një teknikë që njihet tashmë në shoqërinë shqiptare të aplikohet me kaq përsosmëri prej “të huajve”, që për ne konsiderohen gjithmonë me ndjenjat e komplesitetit te qytetarëve të vendeve të Jugut” ndaj atyre prej vendeve të zhvilluara perëndimore, dhe që kemi kaq shumë pritshmëri të sjellin një model funksionimi ndryshe në Shqipëri, i cili të shfaqet edhe në këto detaje proceduriale, por me kuptim për vendin.

Kjo ka qenë për mua një përvojë refuzimi dhe indiference e ndjerë rëndom prej institucioneve vendase si fillim dhe e rindjerë në po të njëjtat trajta përballë këtyre organizatave shumë të rëndësishme në vend. Kuptoj shumë mirë gjendjen e shumë të rinjve të cilët pas studimeve brenda e jashtë vendit gjenden apatikë brenda një ambienti i cili ofron shumë pak mundësi punësimi e akoma më pak punë të cilat i ndihmojnë në zhvillimin e duhur profesional e personal.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>