Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj është shprehur “e befasuar” nga presideti Meta, pasi ky i fundit akuzoi qeverinë në se kishte shkelur Kushtetutën dhe ligjin në procedurat e financimit të rrugës Vlorë-Orikum.
Pak minuta pasi Meta përfundoi konferenën për shtyp lidhur me këtë çështje, ministrja Denaj ka reaguar nëpërmjet “Facebook” duke paralajmëruar sqarime të plota ditën e mërkurë.
“Jam shumë e befasuar nga shfaqja e Ilir Metës nga podiumi i Presidentit të Republikës, ku bëri lëmsh Kushtetutën, institucionet dhe konceptet e ligjshmërisë marrëveshjes, negociatës, duke krijuar një kakofoni krejt të papërshtatshme për kreun e një shteti. Nesër do t’i përgjigjem me fakte kokëforta zotit President, madje me vetë firmën e tij në raste të ngjashme”
Megjithatë Denaj i është përgjigjur shkurt disa prej pretendimeve të presidentit.
Sipas saj, qeveria nuk ka negociuar më me Fondin Saudit pasi negociatat ishin zhvilluar më parë kur ishte dhënë huaja për rrugën e Lumit të Vlorës. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një rialokim të huasë nga një objekt në tjetrin pa ndryshuar termet e saj.
Kjo procedurë, thotë Denaj, është bërë edhe në të shkuarën dhe nuk përbën përjashtim nga rregulli.
“Presidenti gabon nga fillimi në fund edhe pse ia kemi shpjeguar shkresërisht logjikën e kësaj praktike krejt të qartë e të thjeshtë. A nuk e kupton vërtetë apo e bën me qëllim këtë zvarritje të një projekti me rëndësi për Vlorën, këtë nuk dua ta them. Por nesër do të them më shumë.”